Studimi i ri jep datën e shpërthimit të Coronavirusit në Itali

Prishtinë | 25 Pri 2020 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Infeksionet e para të COVID-19 të Italisë filluan në janar, sipas një studimi shkencor të paraqitur të premten që hedh dritë të re në shpërthimin e një epidemie në një nga vendet më të goditura nga përhapja e coronavirusit.

Italia filloi të testonte njerëzit pasi COVID-19 u diagnostikua me pacientin e parë lokal në Codogno, një qytet i vogël në rajonin e pasur të Lombardisë, më 19 shkurt, transmeton Telegrafi.

Numri i rasteve të infeksionit të COVID-19 dhe vdekjes menjëherë filloi të rritet me shpejtësi, dhe shkencëtarët dyshuan se virusi kishte qenë i pranishëm dhe pa u vënë re për javë të tëra.

Stefano Merler i Fondacionit Bruno Kessler në një konferencë për shtyp me zyrtarë të lartë të shëndetësisë tha se instituti i tij kishte rishqyrtuar rastin e parë dhe nxori përfundime të qarta nga përhapja e ngjitjes që pasoi.

“Kemi gjetur se shumë njerëz ishin të infektuar në Lombardi, që para 20 shkurtit, që lë të kuptohet se ata ishin të infektuar në janar, apo edhe më herët, ku ta dimë”, ka thënë eksperti Merler.

Sipas një studimi tjetër, të bazuar në regjistrat e kryera gjatë këtij muaji, del se 44.1 për qind janë infektuar në qendra kujdesi, derisa 24.7 nëpër familje. Raportohet se 10.8 për qind janë infektuar nëpër spitale, derisa 4.2 për qind në vendet e tyre të punës. Goditja nga coronavirusi në Itali ka qenë shumë e fuqishme, duke shkaktuar 25,500 viktima, derisa 190 mijë persona i ka lënë të infektuar.

Një grup tjetër i shkencëtarëve italianë thanë që në gjysmën e dytë të janarit coronavirusi mund të kishte mbërritur në Itali nga Gjermania dhe jo direkt nga Kina. 

Të ngjashme