Shqipëria është përfshirë në projektin “Openfabric” të ndërmarrë nga Holanda, Italia dhe Zvicra në lidhje me zhvillimin rural në vendin tonë. Ekspertë nga këto vende kanë marrë si rast studimi fshatin Qeparo në jug të Shqipërisë për të treguar alternativat e zhvillimit të zonave rurale.
Studimi tregon se sektorët e ndryshëm si bujqësia, turizmi dhe burimet natyrore mund të përdoren në mënyrë të ndërthurur për të rigjallëruar fshatrat e lënë pas dore. Në rastin e Qeparoit ata mendojnë se është i mundur zhvillimi i bujqësisë dhe turizmit krah njëra-tjetrës.
Tarracat e shumta të ndërtuara vite më parë mund të riaktivizohen përmes kanalit të ujitjes. Kjo do të rriste prodhimin bujqësor si dhe do të përmirësonte peizazhin, i cili do të çonte në rritjen e interesit të turistëve.
Po ashtu zhvillimi i agrumeve dhe ullirit është një tjetër mundësi e mirë për ekonominë e zones. Ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore gjithashtu do të mund të shkurtojnë distancën me Borshin dhe bregdetin.
Ndërthurja e këtyre masave në bujqësi me mundësitë që ofron bregdeti jonian do të ndihmonin në zhvillimin e mëtejshëm të fshatrave të shumtë në jug të vendit.