Një valë stuhish të fuqishme ka përfshirë pjesë të Zvicrës, ndërsa autoritetet meteorologjike kanë lëshuar paralajmërime të nivelit 4 nga 5 për disa rajone të vendit.
Rajonet e Gjenevës, Langenthalit (BE), Solothurn-Rothristit dhe Laufentalit ndodhen aktualisht nën alarm të kuq për shkak të motit të rënduar, i cili shoqërohet me reshje intensive shiu, erëra të forta, vetëtima dhe bubullima.
Pamjet e publikuara nga banorët tregojnë intensitetin e stuhisë. Në Thörigen, në kantonin e Bernës, rreth orës 20:00, një stuhi e fuqishme përfshiu zonën, ndërsa reshjet e dendura të shiut vështirësuan ndjeshëm qarkullimin.
Ndërkohë, në Bützberg (BE), një pemë u rrëzua mbi trotuar dhe rrugë si pasojë e erërave të forta, duke dëshmuar forcën e motit ekstrem.
Meteorologët bëjnë të ditur se gjatë ditës mbi zonat malore janë formuar re kumulonimbus, të cilat më pas janë zhvilluar në stuhi të fuqishme mbi rajonet e prekura. Reshje shiu, vetëtima dhe bubullima priten edhe përgjatë disa pjesëve të Liqenit të Cyrihut.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të marrin masa paraprake, të sigurojnë mobiliet e kopshteve dhe ballkoneve, si dhe të fusin në ambiente të mbyllura çdo send që mund të dëmtohet nga shiu ose të merret nga era.
Stuhitë pritet të sjellin edhe një ulje të temperaturave, duke i dhënë fund valës së nxehtësisë që ka përfshirë Zvicrën ditët e fundit./Albinfo.ch