Evropa është goditur nga erëra të forta dhe nga shi i rëndë, duke e shkaktuar anulimin e ndeshjeve në Bundesligën gjerman, ligën holandeze Ersdivisie, atë belge dhe së fundmi edhe në Premierligën angleze.
Stuhia “Ciara” ka shkaktuar kaos duke bërë që ndeshjet e futbollit të caktuara për ditën e diele të anulohen në vendet si Angli, Gjermani, Belgjikë dhe Holandë, transmeton Gazeta Express.
Drejtuesit e ligës elitare gjermane kanë thënë se presin që takimi mes Bayern Munich dhe RB Leipzig, i caktuar të luhet në orën 18:00, të zhvillohet.
Megjithatë, derbi mes Borussia Monchengladbach dhe Koln është anuluar si pasojë e kushteve të dobëta për lojë të shkaktuara nga stuhia.
Ndërkohë, në Angli është anuluar ndeshja e Premierligës mes Manchester City dhe West Ham United, për shkak të stuhisë që e ka goditur Britaninë e Madhe.
Në Holandë, ndërkohë, janë anuluar të gjitha ndeshjet e caktuara për ditën e diele.