Ekipi i sapopromovuar, Stuttgarti, është klubi më i fundit i Bundesligës i kapluar nga kriza që ka kërkuar mbështetje financiare nga shteti, për shkak të humbjeve që i pësoi si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Stuttgarti doli nënkampion i divizionit të dytë të Gjermanisë në fund të muajit të shkuar për të siguruar kthimin në Bundesligë një vit pas rënies. Sidoqoftë, kampionët gjermanë të vitit 2007 janë ndër emrat e stabilizuar që kanë nevojë për ndihmë financiare për balancimin e librave.
“Gjatë fazës së bllokimit, ne shqyrtuam të gjitha mundësitë për stabilizimin ekonomik dhe kemi aplikuar për fonde për të siguruar likuiditetin tonë”, pranoi zyrtari i financave të klubit, Stefan Heim, për mediumet gjermane. “Kjo ishte një nga masat që morëm për të siguruar mbijetesën ekonomike të Stuttgartit në një kohë kur askush nuk mund të parashikonte se kur dhe si do të vazhdonin gjërat në futboll”.
Heim tha që Stuttgarti aplikoi për ndihmë përmes Bankës shtetërore “KfW”, raportohet se kërkonte një kredi prej rreth 15 milionë eurosh. Mirëpo, Stuttgarti nuk është klubi i vetëm. Edhe ekipet e tjera elitare të Gjermanisë po llogaritin koston e të ardhurave të humbura, pasi nëntë raundet e fundit të ndeshjeve në dy nivelet e para të këtij edicioni u luajtën pa praninë e shikuesve për shkak të pandemisë. Werder Bremeni, që siguroi mbetjen në Bundesligë për sezonin e ri nëpërmjet ndeshjes së plejofit, ka konfirmuar se ka kërkuar një kredi nga “KfW Bank” në pronësi të shtetit. Skuadra e Schalkes, që kishte borxhe prej 198 milionë eurosh para pandemisë, kohët e fundit aplikoi në shtetin verior Rhein-Westphalia një garanci për të siguruar një kredi, raportohet se kishte vlerë rreth 40 milionë euro. Schalke me qendër në Gelsenkirchen humbi rreth dy milionë euro në të ardhura për secilën nga katër lojërat në shtëpi që i luajti prapa dyerve të mbyllura. Gjithashtu, edhe nënkampioni i Bundesligës.
Borussia Dortmundi, raportohet se po kërkon mënyra për të siguruar ndihmë financiare nga shteti. Drejtuesit e Dortmundit insistojnë se Qeveria duhet të kontrollojë nëse klubet janë goditur dhe kanë vështirësi financiare si pasojë e koronavirusit apo menaxhimit të keq.
“Shteti duhet të kontrollojë nëse këto janë efekte reale të koronës apo jo”, tha Hans-Joachim Watzke.
Ndërkohë, të tjerët pajtohen me këtë dhe situata aktuale është një objekt debati në Gjermani.
“Nuk duhet të jetë rasti që modelet e biznesit të dështuar në futboll janë mirëmbajtur artificialisht nga paratë e taksapaguesve”, tha Jens Ammann nga Federata Gjermane e Tatimpaguesve. “Nuk mund të jetë se pagat profesionale në miliona mund të përfundojnë duke u paguar nga paratë e taksave”.