Su Bingtian, aziatiku më i shpejtë

Prishtinë | 27 Gus 2018 | 12:58 | Nga

Su Bingtian i Kinës është bërë njeriu më i shpejtë i Azisë të dielën, duke justifikuar gjithë bujën që është krijuar rreth tij, me triumfin në garën 100 metra sprint në Lojërat e Azisë në Jakarta. Ai ka fituar me kohë rekorde të lojërave.

Su u bë sprinteri i parë i lindur në Azi që vrapoi 100 metërshin nën dhjetë sekonda në qershor, kur vrapoi për 9.91 sekonda dy herë brenda tetë ditëve, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Ai barazoi rekordin aziatik atëbotë që e mbante Femi Ogunode, nigeriani me shtetësi të Katarit.

Të dielën në finale të Lojërave të Azisë ai la prapa kundërshtarët e tij me një përfundim spektakolar duke regjistruar kohë 9.92 sekonda. Përfundoi para nigerianit Tosin Ogunode, që ka përfaqësuar Katarin. Ogunode hyri në finish për 10.00 sekonda. Japonezi Ryota Yamagata përfundoi i treti. Ndërkohë tinejxheri indonezian Lalu Muhammad Zohri, ndonëse vrapoi rekord personal prej 10.20 sekondash, përfundoi vetëm i shtati.

Në 100 metra në konkurrencën e femrave, Edidiong Odiong, një nigeriane me shtetësi të Bahrejnit doli e para, duke lënë prapa Dutee Chandin e Indisë. U desh fotofinishi për të përcaktuar fituesen. Odiong 21-vjeçare përfundoi me kohë 11.30 sekonda për t’u bërë femra më e shpejtë e Azisë. Kinezja Wei Yongli, që së fundi është bërë femra e parë nga Azia që ka thyer barrierën e 11 sekondave, u desh të kënaqej me medalje të bronztë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme