Sulmuesi uruguaian i Barcelonës, Luis Suarez, ka kërkuar falje për mënyrën se si katalonasit luajtën, pas disfatës 4:0 në ndeshjen e mbrëmshme kundër Liverpoolit, ku e humbën një vend në finale të Ligës së Kampionëve.
Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4:0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Kloppit kishte pësuar disfatë 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”.
Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.
Barcelona konsiderohej favorite për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon, falë edhe Lionel Messit. Megjithatë, Liverpooli arriti t’i shënojë katër gola për të fituar me rezultat të përgjithshëm 4:3 dhe e siguroi vendin në finalen e këtij sezoni.
Katalonasit ishin eliminuar në mënyrë po kaq tronditëse edhe vitin e kaluar, në përballjen me Romës në Ligën e Kampionëve. Barcelona e kishte fituar ndeshjen e parë, në Camp Nou, me rezultat 4:1, mirëpo ndeshjen si mysafir e humbi me rezultat 3:0. Edhe pse rezultati i përgjithshëm ishte 4:4, Roma kaloi në gjysmëfinale për shkak të epërsisë së golit të shënuar si mysafir.
Dhe Luis Suarez mendon se ka ardhur koha që Barcelona ta shikojë veten në pasqyrë, pasi dështoi në Ligën e Kampionëve në mënyrë tronditëse për dy sezone radhazi.
“Ne duhet të jemi vetëkritikë. Është hera e dytë që po na ndodh diçka e tillë. Nuk mund të bëjmë gabime të tilla dy sezone radhazi. Duhet ta analizojmë atë që po e bëjmë gabim, duke menduar se gjithçka ka marrë fund”, ka thënë Suarez.
Disfata e mbrëmshme e ka vënë në qendër të vëmendjes trajnerin Ernesto Valverde, pasi që shumë tifozë po e kërkojnë shkarkimin e tij. Megjithatë, Suarez i doli në mbrojtje trajnerit të tha dhe tha se faji mbetet te lojtarët.
“Ne jemi ata që luajmë, trajneri e bëri taktikën që e bëri në ndeshjen e parë. Ne, lojtarët, duhet të jemi të vetëdijshëm, ne jemi ata që luajnë. Duhet të kërkojmë falje për sjelljen, nuk ishim skuadër e bashkuar”.
“Për familjet tona, fëmijët tonë, tifozët tonë… ne duhet të kërkojmë falje. Nuk mund ta lejojmë që brenda një minute t’i pranojmë dy gola. Për golin e katërt, ne dukeshim si fëmijë. Ne duhet t’i kuptojmë të gjitha kritikat që po na vijnë”.
“Jemi shumë të mërzitur, të lënduar. Ne jemi njerëz, e ndiejmë dhimbjen dhe zemërimin. Duhet të jemi vetëkritikë, ta vendosim gjoksin tonë para plumbave që do të vijnë drejt nesh tani”.