Luis Suarez ka zbuluar se kishte dashur të largohej nga Liverpooli dhe t’i bashkohej Arsenalit në vitin 2013 sepse donte të luante në Ligën e Kampionëve.
Sulmuesi i Uruguait i ishte bashkuar të kuqve në vitin 2011 dhe i kaloi tri vjet në Anfield para se të largohej për t’iu bashkuar Barcelonës.
Por Suarezi kishte tentuar t’i bashkohej Arsenalit para se të largohej në drejtim të Camp Nou, pasi klubi i Londrës veriore ishte përpjekur ta aktivizonte klauzolën në kontratën e tij duke bërë ofertë në vlerë 40.000.001 euro.
Liverpooli nuk pranoi ta shiste atë, por Suarezi e pranon tani se kishte shpresuar të kalonte në Arsenal, pasi të kuqtë nuk ishin kualifikuar në garën më prestigjioze evropiane për klube.
“Mendoj se unë i kisha bërë një vit e gjysmë kur Brendan Rodgers e mori drejtimin e skuadrës në korrik 2012”, tha Suarez për UEFA.
“Në atë kohë, unë kisha mundësi të nënshkruaja me klube të cilat më kontaktonin, por ai më telefonoi kur isha në Uruguai në pushim, për të më thënë se synimi i tij ishte ta ndryshonte klubin dhe filozofinë, se donte ta kthente klubin në Ligën e Kampionëve dhe të luftonte për trofe të mëdhenj”, shpjegoi ai.
“Ai më kërkoi të besoja dhe të kisha besim në të. Më pëlqeu ajo telefonatë. Më pëlqeu bindja e tij. Prandaj fola me menaxherin tim dhe desha një mundësi tjetër për të qenë i suksesshëm në Liverpool”.
“Por pas sezonit 2012/13, i cili nuk ishte i mirë, unë desha të nënshkruaj me Arsenalin, sepse Arsenali luante në Ligën e Kampionëve çdo vit”, tregoi ai.