Subvencionet më të larta se investimet kapitale – Buxheti konsiderohet “elektoral e për të blerë paqe sociale”

Prishtinë | 26 Nën 2023 | 09:17 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rritja e vlerës për subvencione e ulja për investime kapitale, po konsiderohet si e gabuar, përderisa shqetësuese mbetet edhe përqindja e ulët e ekzekutimit të investimeve kapitale, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Institutit “Riinvest”, Alban Hashani ka kërkuar që buxheti të drejtohet në pjesën e investimeve kapitale, ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, e konsideron si buxhet “elektoral dhe për të blerë paqe sociale”.

Vlera për subvencione për vitin 2024, kalon shifrën e 1 miliard eurove, ndërsa 850 milionë euro për shpenzime kapitale.

E ky planifikim, nuk po shihet i duhur për Hashanin. Ai për Ekonomia Online ka thënë se institucionet fatkeqësisht nuk po arrijnë t’i ekzekutojnë as investimet kapitale që i planifikojnë.


“Unë mendoj se në pikëpamje të organizimit të buxhetit. Buxheti është instrumenti fatkeqësisht i vetëm i Qeverisë që do të mund të ketë intervenim të drejtpërdrejtë në infrastrukturë por edhe në aspekte tjera. Rekomandohet që për pjesa e investimeve kapitale në nivel të planifikimit të jetë më shumë se 1/3. Ne fatkeqësisht në nivel të planifikimit e kemi më të vogël, përderisa barrën më të barrën më të madhe e ka pjesa e subvencioneve dhe transfereve që mbetet e lartë, e të cilat ekzekutohen plotësisht, përderisa investimet kapitale nuk po ekzekutohen, pra kemi ngecje aty, e kthimi më i madh është pikërisht prej atyre sektorëve. Në anën tjetër politikat të cilat kanë për synim me provu me i nxit investimet në sektorë përpunues mbeten të limituar”, ka thënë Hashani.

Krahas kërkesës për rritje të investimeve kapitale, Hashani ka kërkuar që të rritet edhe efikasiteti i zbatimit të këtyre projekteve. Ai ka thënë se në vijëzim ka pasur një ngecje në zbatimin e projekteve.

“Unë mendoj që për shkak të strukturës që e ka Kosova, pjesa e subvencioneve dhe transfereve do të vijojë të mbetet e madhe, veçanërisht për shkak se ne nuk kemi sistem të sigurimit social pra kjo financohet përmes buxhetit, megjithatë ne duhet të kujdesemi për pjesën e investimeve kapitale të rritet, mirëpo paralelisht me këtë duhet të rritet efikasiteti i zbatimit të këtyre projekteve. Pra ne në vijëzim kemi pasur një ngecje në zbatimin e projekteve e cila për pasojë edhe e ulë për pjesën e investimeve kapitale në buxhet. Në përgjithësi unë mendoj se Kosova po përcjellë një trend historik të zhvillimit, i cili fatkeqësisht nuk është trend i mjaftueshëm për të bërë transformimin e madh”,.


E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, e ka quajtur buxhetin e vitit 2024 si elektoral dhe për të blerë paqe sociale.

Beqa ka thënë për Ekonomia Online se mbi 90 për qind të investimeve kapitale janë projekte të bartura, teksa buxhetin e quan jozhvillimor.

“Unë konsideroj që ky buxhet nuk i bie tamam kërkesave të qytetarëve për vitin 2024. Është buxhet më shumë elektoral dhe një buxhet për të blerë paqe sociale sepse nëse i marrim investimet kapitale diku 91% janë projekte të bartura diku 9.2% janë projekte të reja por edhe nëse shohim tek ndarja për komuna ne shohim që komunat që janë shumicë në Kosovë që udhëhiqen nga kryetarë që nuk i takojnë mazhorancës aktuale realisht janë munduar që t’i diskriminojnë përmes buxhetit që është edhe jo ligjore. Ky buxhet nuk ka të bëjë me zhvillim ekonomik ky është një buxhet mallrash e shërbimeve dhe nuk i merr për bazë rritjen e pagës dhe koeficientit as te policia, zjarrfikësit, arsimtarët, shëndetësia por është më shumë një buxhet që ndahet si lëmoshë i cili nuk ka ndonjë analizë për ta dërguar vendin përpara”, u shpreh Beqa.

Të ngjashme