Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, ka diskutuar lidhur me dinamikën kohore të intervistimit të dëshmitarëve, ku u miratua që të bëhet një draft-propozim nga kryesuesi i Komisionit për anëtarët, raporton Ekonomia Online.
Në këtë mbledhje, krahas dëshmitarëve nga shtëpitë botuese e akterëve tjerë të përfshirë në këtë proces, u kërkua që të intervistohet edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, kërkoi që në listë të përfshihen anëtarë të MAShT-it, të bibliotekave e pastaj edhe ministrat.
“Lista mendoj se duhet të ketë me prioritet të saj deri aty sa kemi mandat kohor. Sa mjete financiare janë shpenzuar për mjetet mësimore 2023-2024, sa mjete i ka ndarë qeveria dhe sa mjete ka pas MAShTI që janë shpenzuar, pse kanë dështuar negociatat me shtëpitë botuese, sa kanë qenë ofertat, a ka pas dallime me të viteve të kaluara, etj”, ka thëne Haxhiu.
E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, tha se do ishte e duhur që të mblidhen të dhënat dhe më pas të vijë në raportim në Komision, ministrja Arbërie Nagavci.
“Këta dëshmitarë të propozuar të pozitës dhe opozitës ne duhet të mendojmë kë ta ftojmë, kë të parin e kë të dytin. Unë propozoj që ministren e Arsimit ta lëmë të fundit, me i mbledh të gjitha informacionet e më pas më i diskutu”, ka thënë Dreshaj.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexha, propozoi që ekspertët të krijojnë një listë dhe të premten të ketë sërish mbledhje të Komisionit, por që kjo u kundërshtua nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu. Ky i fundit, tha se ky propozim nuk qëndron pasi sipas tij “ekspertët propozojnë lista”.
“Të arrijmë t’i intervistojmë nga viti 2008 deri në vitin 2023, sa të kemi informacione pse jo, sepse në vitin 2008 ka filluar blerja e teksteve për nxënësit. Na duhen detaje për këtë Komision janë të rëndësishme, p.sh. sa nxënës nuk kanë aplikuar në e-Kosova. Propozimi im është të nisim nga shtëpitë botuese”, tha Haxhiu.
Ndërsa Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, propozoi qe të bëhen krahasime me dy vitet e fundit dhe atyre paraprak.
“Fillimi i punës së këtij Komisioni do të jetë 2023-2024, pastaj të lëshohemi në vitin 2008 ku mund të bëjmë krahasime. Sa i takon listës së dëshmitarëve mendoj se është e mjaftueshme”, ka thënë ai.
E deputetja e pushtetit, Arjeta Fejza, propozoi që të konsultohet materiali dhe lista.
“Bazuar në dokumentacionin që iu kemi dërguar institucioneve është pranuar materiali kamë dilema, propozojë sa i përket planit dinamik, mbi listën e miratuar me u konsultuar materiali edhe lista”, tha ajo.