Komuna e Prizrenit thotë se nëpërmjet Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, në vazhdimësi zbaton politikat sektoriale sipas strategjive zhvillimore, me theks të veçantë në ngritjen dhe përkrahjen profesionale të fermerëve me projekte kapitale investuese.
“Kjo kryesisht ka të bëjë me përmirësimin e kushteve për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore dhe aftësimin e fermerëve për prodhimtari intensive, konkurrente në tregun vendor dhe regjional.
Pjesë e këtyre aktiviteteve, këtë vit, është edhe realizimi i projektit “Furnizimi me farë misri”. Përfitues janë mbi 400 bujq të cilët i kanë plotësuar kriteret konkurruese dhe aktivitet kryesor bujqësor kanë kultivimin e kulturave lavërtare”, ka njoftuar kjo komunë.
Vlera financiare e projektit është 26 945 € me të cilën është kontraktuar blerja e 1.300 paketimeve me farë misri, sipas kategorizimit të Organizatës Botërore të Ushqimit – FAO, ekuivalent për mbjelljen e 550 ha.
Shpërndarja e farës do të fillojë nga data 18.04.2018 në dy punkte: Në Lubizhdë të Qytetit, te kompania “Agronomi” (përballë stacionit policor në Lubizhdë) dhe e dyta në fshatin Piranë, te kompania “Moni”, për fermerët e rajonit të Anadrinisë.
Komuna e Prizrenit thekson se me realizimin e këtij projekti dhe të projekteve tjera në vazhdim me përkushtim të lartë synon të përmbushë nevojat e fermerëve sipas aktiviteteve bujqësore.