Një grua nga Suedia është akuzuar për krime lufte dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar për dyshimin se e kishte çuar djalin e saj për të luftuar në Siri si ushtar fëmijë.
Gruaja e cila mbahet në burgim në Suedi që nga shtatori, dyshohet se ndihmoi në rekrutimin e djalit të saj – i lindur më 2001 – për të luftuar ndërsa kishin jetuar mes viteve 2013-2016 në territor sirian, i kontrolluar nga grupi i Shtetit Islamik.
Prokurorët suedezë kanë thënë se është hera e parë që shteti ka ngritur akuza për krime lufte kundër një individi për rekrutim të ushtarëve fëmijë, raporton AP.
Ata thanë se ndalohet rreptësishtë lejimi i fëmijëve nën 15 vjeç që të marrin pjesë në një konflikt të armatosur.
Prokurorja Reena Devgun ka thënë se hetimet treguan se djali 12 vjeç kur kishte arritur herën e parë në Siri ishte pajisur me pajisje ushtarake dhe armë dhe se ishte përdorur për qëllime propagande për misione që ishin pjesë e luftës.
Shtoi se veprimet e gruas konsiderohen ekstreme sepse djali u rekrutua dhe u përdor si ushtar nga një organizatë terroriste në një luftë ekstremisht brutale.