Tashmë shumë vende evropiane po heqin masat e izolimit që u vendosën për shkak të pandemisë së coronavirusit, kurse Suedia, e cila nuk është mbyllur si pjesa tjetër e kontinentit, tani po njofton vazhdimin e disa kufizimeve afatgjata, siç është ndalimi për të vizituar shtëpitë e pleqve dhe vazhdimi i punës nga shtëpia.
Vendi skandinav i la shkollat, kopshtet, kafenetë, baret dhe restorantet të hapura gjatë pandemisë, duke u kërkuar qytetarëve të saj të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë, dhe Suedia nuk përdori karantinën asnjëherë, transmeton Telegrafi.
Me këshillat e shkencëtarëve suedezë shkollat mbetën të hapura vetëm për nxënës të klasave të ulëta, ndërsa ato u mbyllën atëherë për nxënësit e shkollave fillore të mesme dhe studentët e kolegjit.
Kryeministri suedez gjithashtu ndryshoi vendimin për të lejuar tubime deri në 500 njerëz dhe e uli atë në 50.
“Lufta kundër COVID-19 është një maratonë. Masat që kemi marrë janë zgjedhur sepse besojmë që ato janë të qëndrueshme për një kohë të gjatë”, tha kryeministri Stefan Lofven në një konferencë shtypi sot.
“Ndalimi i vizitës në shtëpitë e pleqve, sigurisht që do të mbetet në fuqi për muajt e ardhshëm, dhe gjithashtu rekomandohet të vazhdoni punën nga shtëpia”, tha ai.
Rreth 30.800 njerëz u infektuan në Suedi dhe 3.743 njerëz kanë vdekur nga COVID-19 deri tash, më shumë sesa në Norvegji, Finlandë dhe Danimarkë.
Suedia ka 371 vdekje nga coronavirusi për 1 milion banorë, ndërsa Danimarka ka 95, Finlanda 54 dhe Norvegjia 43.