Ekipi olimpik i xhudos ka mbërritur në Kosovë, pas disa ditëve të kaluara në Japoni ku shkroi sërish histori. Ekipi i xhudistëve në krye me trajnerin Driton Kuka, ka mbërritur në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, në orën 20:40, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie Daulina Osmani, zëvendësministre në MKRS ka thënë se nuk ka mundësi të kishte një pritje më madhështore pas dy medaljeve të arta të Distrisa Krasniqi e Nora Gjakovës.
Ajo ka thënë se këto medalje janë suksesi historik i Kosovës. Sipas saj ato e vazhduan rrugën që e hapi Majlinda në vitin 2016.
“Dua të falënderoj të gjithë xhudistët që na prezantuan në Tokio dhe sportistët e sporteve tjera. Dua t’i drejtohem se Parisi 2024, Los Angelesi 2028 vijnë shumë shpejt, dhe është koha që të gjithë t’i përvishemi punës, t’i bashkojmë forcat dhe t’i nisim për përgatitjet për Olimpiadat që na presin. Është koha të ndërtojmë strategji, të cilat do të nxjerrin talente edhe në sportet tjera, dhe të na sjellin medalje. Falënderoj federatën e xhudos, prej Agronit, mjeshtrit Driton Kuka, sportistëve që na e zbardhën fytyrën dhe Komitetin Olimpik të Kosovës. Shumica e shteteve, edhe Japonia janë shprehur interesim për bashkëpunim në sportin e xhudos pas suksesit që e patëm dhe kjo është një krenari e madhe. Këto medalje kanë hapur rrugë për donacione nga federatat ndërkombëtare, por edhe do të rritin investimet në sportin e Kosovës”, ka thënë ajo.
Trajneri Driton Kuka ka thënë se do të flas pak më shkurt sepse flasin medaljet.
“Dua ta falënderoj në radhë të parë, heronën tonë, Majlinda Kelmendin që në vitin 2016 e nisi këtë rrugë. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi më ka mbetur një moment në kujtesë, kur e kemi bërë një fotografi te pesë rrathët olimpikë dhe shfaqëm synimet t’i fitojmë pesë medalje, tashmë i kemi tri medalje të arta”, ka thënë ai.
Kuka ka shtuar se është një mrekulli që nuk e ka pritur as vet.
“Kemi shkuar për një medalje, por u kthyem me dy dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme. Falenderoj kryeministrin dhe presidenten që ishte e pranishme kur Distria e fitoi medaljen e parë. Gjithashtu, i falënderoj të gjithë ata që na kanë përkrahur”, ka shkruar ai.
Nora Gjakova tha se kjo medalje i kushtohet Popullit Kosovës, dhe është krenare për çka ka arritë.
“Dua të falënderoj kryeministrin dhe Trajnerin tim Dritonin i cili ka sakrifikuar 19 vite për mua, poshtu edhe familjen time, dhe popullin e Kosovës sepse kjo medalje është për popullin e Kosovës”, tha Gjakova.
E të njëjtën gjë e tha edhe Distria Krasniqi, e cila falënderoi të gjithë për këtë fitore.
Ajo tha se nga Parisi do të kthehemi me më shumë medalje
“Jam e emocionuar dhe e lumtur për këtë fitore falënderoj trajnerin tim Tonin dhe të gjithë e tash na pret Parisi me medalje tjera”, tha Krasniqi, raporton EO.
Ndërsa, Agron Kuka ka thënë se në Lojërat Olimpike në Tokio kanë udhëtuar me pesë garues. Ai ka thënë se kanë pritur medalje, bazuar në performacën e tyre dy vjeçare, ku katër nga pesë garuesit kishin medalje botërore dhe të pestit Evropiane.
E, Ismet Krasniqi, kryetar i KOK-ut ka thënë se për të është kënaqësi dhe privilegj si kryetar i KOK-ut, t’i prijë një ekipi të tillë siç është ekipi i xhudos që na bërë krenarë të gjithëve.
“Jemi ndier krenar pasi kemi pasur urime të shumta nga shtetet e forta që ishin të pranishme në Olimpiadë. Ka qenë privilegj që atje e kishim edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Shumë shpejt, do të vijnë Olimpiadat tjera dhe duhet të jemi të gatshëm. Falënderoj Majlinda Kelmendin që para pesë vjetësh e hapi derën për medalje dhe ne duhet të punojmë për të pasur më shumë medalje dhe rezultate më të mira. Falënderoj Driton Kukën për punën e shkëlqyeshme dhe them se mësim prej tij marrin edhe shtetet tjera, jo vetëm trajnerët kosovarë”, ka thënë ai.
Pjesë e ekipit janë edhe Majlinda Kelmendi, kampione olimpike nga “Rio 2016” dhe Loriana Kuka. Ekipi olimpik për pak minuta do të mbajë një konferencë për media, e më pas do t’ia mësyjë sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku është organizuar një pritje e madhe. Në aeroport ka dalë një numër i madh i qytetarëve për t’i pritur qytetarët, e aty është edhe kryeministri Albin Kurti.