Ushtria amerikane ka njoftuar se ka vrarë katër persona gjatë një sulmi ndaj një anijeje në Karaibe të shtunën, për të cilën pretendon se ishte e përfshirë në trafikimin e drogës.
Komanda Jugore e SHBA-së tha se inteligjenca e konfirmuar kishte treguar për përfshirjen aktive të anijes në trafikun e narkotikëve.
Sulmi është pjesë e një fushate të nisur vitin e kaluar kundër grupeve që administrata e presidentit Donald Trump i përshkruan si “narko-terroristë”, shkruan Reuters.
Njoftimi për sulmin e fundit vjen 10 ditë pas një tjetër sulmi në Karaibe, ku sipas ushtrisë amerikane u vranë tre persona.
Që nga nisja e kësaj fushate, sulmet amerikane ndaj anijeve në Karaibe dhe në Paqësorin Lindor kanë shkaktuar më shumë se 220 viktima, sipas të dhënave të ushtrisë amerikane.
Organizatat për të drejtat e njeriut i kanë cilësuar këto sulme si “vrasje jashtëgjyqësore”.