Kryesinspktori i Punës në Mitrovicë, Nexhat Fazliu, dje është sulmuar fizikisht gjatë orarit të punës nga dy persona të panjohur. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike dhe Univeristare të Kosovës, derisa me rastin po merret Policia.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Sipas Policisë, përveç lëndimeve atij i janë shkaktuar edhe dëme materiale.
“ Viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime trupore pasi është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar të panjohur. Përveç lëndimeve po ashtu janë shkaktuar dëme materiale edhe në veturën që e kishte në shfrytëzim viktima. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Rasti në hetime”, thuhet në raport.
Sulmin ndaj Fazliut e ka dënuar edhe Kryeinspektori i Punës, Valon Leci.
Ai e ka dënuar këtë akt, derisa ka kërkuar nga organet e rendit që ta zbardhin rastin.
“Dje është sulmuar udhëheqësi i Divizionit për Rajonin e Mitrovicës. Policia janë duke i bërë hetimet. Ai është sulmuar gjatë orarit të punës. E dënoj këtë akt dhe kërkoj nga organet e rendit që ta zbardhin rastin dhe sulmuesit ta marrin dënimin e merituar”, ka thënë Leci për Express.