Sulm me motive racore në Florida, katër të vdekur

Prishtinë | 27 Gus 2023 | 09:48 | Nga Ekonomia Online

Një person i armatosur vrau tre persona afro-amerikanë në një sulm me motive racore dhe më pas vrau veten në Jacksonville në Florida, raporton BBC.

Autori i ngjarjes së rëndë, i përshkruar si i bardhë dhe në fillim të të 20-ave, hyri në një dyqan “Dollar General” dhe hapi zjarr.

Autoritetet thanë se dy burra dhe një grua u vranë nga personi i armatosur, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur. Sulmuesi mbante një pushkë gjysmë-automatike dhe një pistoletë. Po ashtu kishte edhe jelek antiplumb, ka njoftuar sherifi T K Waters.

Ai besohet se ka vepruar i vetëm dhe dyshohet se donte ta vriste veten. Ai jetonte në kontenë Clay të Jacksonville me prindërit e tij dhe la disa mesazhe. Të paktën një nga armët kishte një svastikë të vizatuar në të, simbolin famëkeq të nazistëve.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis përshkroi të shtënat si “të tmerrshme”.

“Ai (personi i armatosur) vuri në cak njerëzit në bazë të racës së tyre, kjo është krejtësisht e papranueshme,” tha DeSantis, i cili po konkurron për të qenë kandidati presidencial i partisë republikane.

Ka pasur mbi 28,000 vdekje me armë në SHBA deri më tani këtë vit, sipas faqes së internetit Gun Violence Archive.

Sulmi në Jacksonville vjen në 60-vjetorin e Marshimit në Washington dhe fjalimin e famshëm të Martin Luther King Jr “Unë kam një ëndërr”. Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytet të shtunën për të shënuar momentin historik në lëvizjen për të drejtat civile.

Të ngjashme