Pesë gra u vranë nga shpërthimi i një predhe në ditën e parë të këtij viti në një dasmë në qytetin Hodeida të Jemenit.
Qeveria dhe rebelët e grupit Houthi e fajësuan njëra-tjetrën për sulmin e së premtes mbrëma, që ndodhi afër aeroportit të qytetit, vijë fronti në luftimet mes dy palëve, shkruan France24.
Ky sulm ndodhi vetëm dy ditë pasi së paku 26 persona u vranë në shpërthimet që ndodhën në aeroportin e Adenit, kur aeroplani në të cilin ndodhej kabineti i ri qeveritar arriti nga Arabia Saudite.
Një dëshmitar tha se shpërthimi në Hodeida ndodhi në hyrjen e një kompleksi të disa sallave të dasmave. Dasma që po mbahej të premten ishte e një personi që i përkrah rebelët.
Zyrtarët lokalë thanë se në sulm mbetën të vrara pesë gra, ndërsa në mesin e të plagosurve ka edhe fëmijë.
Gjenerali Sadek Douid, përfaqësues i qeverisë në komisionin për mbikëqyrjen e armëpushimit, tha se ky sulm është kryer nga rebelët Houthi kundër civilëve dhe e cilësoi si të tmerrshëm.
Ndryshe, Jemeni është rrënuar nga konflikti që ka filluar në vitin 2014 dhe që ende nuk është ndërprerë. Sipas Kombeve të Bashkuara, Jemeni paraqet krizën më të madhe humanitare në botë. Miliona njerëz janë në rrezik që të vdesin nga uria dhe kequshqyerja.