Një person është vrarë dhe 11 të tjerë janë plagosur gjatë të shtënave në Minneapolis të Shteteve të Bashkuara në orët e para të së dielës.
Policia lokale fillimisht tha se dhjetë persona janë qëlluar me armë dhe kanë pësuar lëndime të shkallëve të ndryshme, por e ndryshuan shifrën me një postim në Twitter rreth orës 3 të mëngjesit, shkruan “Daily Mail”.
Vendi ku ndodhi sulmi është më pak se pesë kilometra larg zonës tregtare dhe lagjes së përfshirë nga protestat pas vdekjes së ameriaknit George Floyd në duart e policisë më 25 maj. Policia ende nuk ka dhënë hollësi për shkakun e sulmit.
Deri në orën katër të mëngjesit sipas kohës lokale, policia nuk e ka arrestuar asnjë person në lidhje me këtë rast. Sipas hetimeve fillestare, disa individë që kanë qenë duke ecur në këmbë kanë filluar të qëllojnë me armë rreth 30 minuta pas mesnatës dhe më vonë kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Personi i vrarë dhe të plagosurit nuk janë identifikuar.
Personat e plagosur u dërguan në spitalet lokale. Disa u transportuan me auto-ambulanca dhe disa të tjerë me vetura private, siç thuhet në raportin e policisë. Njëri nga të plagosurit vdiq më vonë në spital.