Prokurorët e tjerë, të cilët mund ta ndjekin modelin e prokurorit Blakaj në të ardhmen kanë marrë mesazhe të qarta se denoncimet e skandaleve të tilla nuk do të tolerohen.
Përpos kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, të cilët e kanë sulmuar Blakajn, të enjten edhe këshilli drejtues i Shoqatës së Prokurorëve të Kosovës ka dënuar sjelljen dhe veprimet e Blakajt, raporton KTV.
“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës njofton opinionin publik se deri më tani asnjë prokuror i sistemit prokurorial të Kosovës, duke përfshirë dhe z. Blakaj, nuk ka shprehur asnjë shqetësim, qoftë si kërcënim apo si ndikim në punën e tij të pavarur dhe të paanshme nga kushdoqoftë. Andaj, deklarimet publike për kinse kërcënimet dhe ndikimet brenda sistemit prokurorial janë për të mbuluar interesat e tij personale apo të kujtdo tjetër”, thuhej në komunikatë.
Më tutje, në komunikatë thuhet se Shoqata e Prokurorëve të Kosovës zotohet se do të reagojë më fuqishëm, duke kërkuar përgjegjësi nga prokurorët që me veprimet e tyre e dëmtojnë imazhin e sistemit prokurorial, interesat e qytetarëve dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës”.
Por në krye të kësaj shoqate qëndron Haxhi Dërguti, prokuror i përfshirë në aferën Pronto.
Në atë kohë, Dërguti, i cili ishte prokuror në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, kishte kërkuar disa herë takim me Adem Grabovcin.
E një ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës ua ka bërë të ditur prokurorëve që nuk guxojnë të dalin në publik dhe të zbulojnë afera të tilla.
Por, këto deklarime dhe mbështetja që qeveria dhe të gjithë ia dhanë projektligjit për sinjalizuesit nuk përkojnë me deklaratat kërcënuese të zyrtarëve që u dhanë gjatë këtyre ditëve.
Kjo situatë e krijuar, sipas Florent Spahiut nga KDI-ja, paraqet frikësim dhe kërcënim edhe për prokurorët e tjerë që do të merren me këtë rast.
E një ditë më parë edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë vlerësoi se kryeministri i Kosovës, me deklaratën e tij në llogari të ish-prokurorit Blakaj, iu ka bërë një shërbim të keq përpjekjeve që në Kosovë të ndërtohet sistemi efikas dhe i pavarur i shtetit ligjor.
Ky fond më tutje kërkoi nga kryeministri Haradinaj që ta tërheqë deklaratën e tij dhe publikisht t’i kërkojë falje zotëri Blakajt, por edhe gjithë sistemit prokurorial.