Sulmi i dytë kibernetik nga Irani, Rama: Nuk ia arriti qëllimit, Shqipëria ka rezistuar më së miri

Prishtinë | 11 Sht 2022 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas sulmit kibernetik ndaj sistemit TIMS nga autoritetet iraniane. Kjo është hera e dytë që Shqipëria bie pre e sulmeve kibernetike nga ky shtet.

Rama ka thënë se pavarësisht sulmit të rëndë, agresori nuk ia ka arritur qëllimit pasi nuk ka asnjë zhdukje apo rrjedhje serioze të të dhënave.

“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm. Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin,fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit,asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash! Dhe përtej cinizmit e përqeshjeve tipike të klubit të madh të thashethemeve digjitale, ushqyer nga ulëritës profesionistë dhe kinse strategë marrëdhëniesh ndërkombëtare, Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm!”, ka shkruar Rama në Twitter.

Sistemi TIMS është rikthyer në Aeroportin e Rinasit dhe në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës. Ndërsa në Portin e Durrësit, të Vlorës, në Pikën Kufitare të Muriqanit, Hani i Hotit, Grabom dhe Bashkim nuk është kthyer ende sistemi. Puna po vijon në mënyrë manuale./Abcnews.al.

Të ngjashme