Sulmi me thikë në një park në Angli trajtohet si incident terrorizmi

Prishtinë | 21 Qer 2020 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Një sulm me thikë në Reading, qytet juglindor në Britani, ku tre persona u vranë dhe tre të tjerë u lënduan, po trajtohet si incident terrorizmi, ka thënë policia të dielën, raporton Reuters.

Një 25 vjeçar u arrestuar si i dyshuar për vrasje pas sulmeve në Reading, të shtunën mbrëma. Një burim i sigurisë i tha Reutersit se njeriu, i cili po mbahet nga policia, është shtetas i Libisë.

“Policia Kundër Terrorizmit tani mund të konfirmojë se incidenti me thikë që ndodhi në Reading natën e kaluar, po trajtohet si incident terrorist”, tha policia e Thames Valley.

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, i cili e ka quajtur sulmin si të tmerrshëm, mbajti një takim të dielën me zyrtarët e sigurisë, ministra të lartë dhe policë, për të marrë informata rreth incidentit, tha një zëdhënës i tij.

Në fillim policia dhe qeveria thanë se incidenti nuk dukej se ishte akt terrorist dhe ende nuk e dinin motivin. Thanë se nuk janë duke kërkuar të dyshuar tjerë për këtë incident.

Sulmi ndodhi në orët e pasdites disa orë pas tubimit të protestuesve kundër racizmit në një park, por duket se nuk kishte të bënte asgjë me protestën.

Një dëshmitar tha se sulmi nisi kur një njeri përnjëherë u turr drejtë një grupi prej 8-10 miqve dhe filloi t’i sulmojë me thikë. Natyra e sulmit i ngjanë një sërë incidentesh të njëjta në Britani të cilat autoritetet i kanë konsideruar si terrorizëm.

Nga ky sulm tre persona kanë vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar, siç raporton BBC.

Të ngjashme