Kryetari aktual i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka njoftuar se është sulmuar mbrëmë nga disa persona, raporton Express.
Një video nga ky incident është publikuar edhe nga Shefi i Shtabit Zgjedhor të Qëndron Kastratit, Arianit Ibrahimi.
Ndryshe, Kastrati ka thënë se është zënë në pritë në Karaçevë, derisa ka treguar edhe emrat e personave që thotë se e kanë sulmuar.
“Jam nxanë në pritë në Karaçevë edhe më kanë sulmuar. Unë kam arrit me i identifiku, Besim Fera, Bujar Fera dhe Bekim Keka. E kemi denoncu sulmin, pastaj kish ndodh edhe një sulm tjetër pas një ore”, ka thënë Kastrati.
Se Kastrati është sulmuar mbrëmë është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Ai ka thënë se Kastratit i është dëmtuar vetura, kurse personat përgjegjës ende nuk janë identifikuar nga Policia.
“Rasti ka ndodhur në fshatin Karaqevë e Ulët. Është rast i hapur për sulm edhe dëmtim i pronës, sepse ia kanë dëmtuar veturën. Policia është duke punuar në identifikimin e personave përgjegjës dhe rasti është duke u hetuar”, tha ai.