Sulmi në Banjskë, Gjykata nuk ka vendosur a do të mbahet gjykimi në mungesë

Prishtinë | 30 Tet 2024 | 07:50 | Nga Ekonomia Online

Seancat gjyqësore kanë nisur ndaj Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, por jo edhe për 42 bashkëpunëtorët, përfshirë këtu edhe kryekriminelin, Milan Radoiçiq ani pse prokurori i rastit, Naim Abazi, kërkoi gjykim në mungesë.

Pas kësaj Gjykata Themelore kishte kërkuar nga Supremja mendim juridik në rastin “Banjska”, mirëpo, Gjykata Supreme ka njoftuar se nuk jep mendime juridike për dilema që ka gjykata e shkallës së parë. Sipas Supremes, është në diskrecion të gjyqtarëve që të vendosin vetë.

Megjithatë, gjykata e shkallës së parë ka bërë të ditur për RTK-në se ende nuk ka vendosur nëse do të ketë gjykim në mungesë për 42 të akuzuarit tjerë.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas përgjigjes së Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me rastin e gjykimit në mungesë, Kryetari i Trupit Gjykues në këtë çështje penale është në fazën e analizimit dhe vlerësimit lidhur me gjykimin në mungesë, rrjedhimisht ende nuk është marr vendim nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Për avokatin e familjes Bunjaku, Arianit Koci, nuk ka logjikë që vrasja e rëndë të gjykohet në mungesë, ndërsa akti terrorist jo.

“Nuk ka logjikë që vrasja e rëndë të gjykohet në mungesë ndërsa akti terrorist që në vete mund të përmbajë disa raste të rënda të mos mund të mbahet gjykimi në mungesë. Sidoqoftë prokuroria e ka qëndrimin se në kuadër të veprës penale të terrorizmit ka ndodhur edhe një vrasje e rëndë. Në anën tjetër e drejta ndërkombëtare terrorizimin e konsideron si një vepër e cila nuk mund të parashkruhet, në këtë frymë ndoshta edhe e interpreton gjykata se mund të mbahet gjykimi në mungesë”, ka thënë Koci.

Koci konsideron se në aspektin e logjistikës është shumë më e vështirë të mbahet një gjykim për 45 persona duke pasur parasysh caktimin e 42 avokatëve e përkthyesve. Ndër tjerash, avokati shprehet i bindur se 42 të akuzuarit të cilët tashmë kërkohen nga INTERPOLI, herët ose vonë, do t’i dorëzohen drejtësisë kosovare.

Mirëpo nga Instituti i Kosovës për drejtësi, veprimet e Supremes për mosdhënie të mendimit juridik, po i konsiderojnë të drejta.

“Për këtë arsye edhe veprimi i Gjykatës Supreme për të mos lëshuar vendim juridik në këtë situatë është i drejtë dhe e mbron krijimi i një praktike negative që gjykatat vazhdimisht ti drejtohen Gykatës Supreme. Dispozita e legjislacionit është shumë e qartë sa i përket gjykimit në mungesë dhe në anën tjetër është e qartë pse është ndryshuar legjisalcioni në këtë pjesë”, ka thënë Gëzim Shala hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Megjithatë, avokatë e juristë thanë se është rritur presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë, që ajo t?ia dorëzojë Milan Radojçiqin dhe kriminelët tjerë drejtësisë së Republikës së Kosovës./RTK

Të ngjashme