Kanali i ujit të Ibër-Lepencit është dëmtuar pas një shpërthimi që ka ndodhur mbrëmë në Zubin Potok. Nga Qeveria e Kosovës e kanë cilësuar këtë si akt terrorist, e ndërkombëtarët e kanë dënuar fuqishëm këtë sulm. Gazeta Express ju sjell një përmbledhje të krejt asaj që dihet.
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mbrëmë në fshatin Varagë të Zubin Potokut, që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, prej ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Shpërthimin e konfirmoi fillimisht Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Po, është dëgjuar një shpërthim në kanalin e ujit dhe ekipet policore janë duke punuar që sa më shpejtë ta ndriçojnë rastin”, deklaroi Elshani, pa dhënë detaje tjera.
Në vendngjarje më pas dolën Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.
Sveçla e cilësoi këtë rast si një akt terrorist, duke e quajtur një sulm ndaj një infrastrukture kritike.
“Pas lajmërimeve Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes. Meqë rast është parë se si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit është cilësuar si infrastrukturë kritike është dëmtuar”, tha Sveçla.
Sipas tij, shpërthimi është bërë me eksploziv që tha se vijnë nga stoqet e Serbisë.
“Nuk po flasim për armë të vogla. Po flasim për eksplozivë, që nuk është e lehtë të gjindet në tregun e zi. Kjo patjetër që vjen nga rezervat nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”, ka thënë Sveçla.
Kryeministri Albin Kurti iu drejtua qytetarëve përmes një konference për media në orët e vona.
Për këtë sulm, ai drejtoi gishtin nga Serbia.
“Sonte u desh të mblidhemi në këtë orë të vonë këtu në Kryeministri, për të informuar opinionin publik mbi sulmet e fundit të rënda, kriminale, terroriste e dashakeqe që po vijojnë të na vijnë, ne besojmë nga fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”, deklaroi Kurti.
Ai përmendi sulmet e fundit me granata dore në stacionin policor në Zveçan dhe hedhjen e mjetit shpërthyes afër Komunës së Zveçanit.
Kurti tha se një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit është dëmtuar nga ky shpërthim dhe se furnizimi me ujë është ndërprerë përkohësisht.
“Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që kemi, dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”, shtoi Kurti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe të ndjekin në vazhdimësi udhëzimet e njoftimet nga institucionet e Republikës së Kosovës
“ Për bindjen tonë të fuqishme nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësinë dhe fajësinë, për organizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi përveçse Beogradit zyrtar dhe strukturat e tyre kriminale të cilat me në krye Millan Radojçiqin, mbështeten nga institucionet serbe, dhe nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ai u ndalua për t’u liruar dhe tash është i lirë në Serbi dhe dirigjon me elementet paramilitare e kriminale atje, kriminelët e paqes e kriminelët e luftës që e urrejnë Republikën tonë dhe popullin tonë mbarë”, tha Kurti.
Ai falënderoi partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen ndaj vendit, teksa paralajmëroi takim me Komandantin e KFOR’it dhe mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.
“Le të jemi bashkë me institucionet e shtetit, me policinë tonë, me organet tona zyrtare të cilat do të na njoftojnë në kohë reale për gjithçka. Këta kriminelë e terroristë nuk do të na mposhtin neve kurrë, sepse fuqia e ligjit të drejtë në Republikën demokratike të Kosovës do të ngadhënjejë sërish”, tha Kurti.
Për shpërthimin, reagoi edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo tha se partnerët ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu “për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”.
“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë. Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”, shkroi Osmani.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e dënoi shpërthimin, teksa shtoi se u ka ofruar ndihmë autoriteteve të Kosovës.
“Dënoj incidentin e rëndë që shkaktoi dëme në kanalin ujor në Zubin Potok që po privon pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë. Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Orav në X.
Me reagim doli edhe Ambasadori i SHBA’së, Jeffrey Hovenier, i cili e dënoi tha se ShBA’të po e monitorojnë situatën nga afër dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre për të siguruar që ata që janë përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi.
ShBA’të kanë dënuar edhe sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor.
“Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në solidaritet me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë këtyre sulmeve kriminale”, shkroi Hovenier
Edhe Britania e Madhe ka dënuar këtë sulm. Ambasadori britanik, Hargreaves përmes një shkrimi në Facebook tha se ky sulm duhet të hetohet shpejt se a është bërë me qëllim, pasi ka pasoja të rënda për furnizimet me ujë dhe energji.
“Incidenti serioz në Zubin Potok sonte ka pasoja potencialisht të rënda për furnizimin me energji dhe ujë në komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës. Duhet të hetohet shpejt për ndonjë sulm të qëllimshëm ndaj infrastrukturës kritike”, tha ambasadori britanik.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se janë duke hetuar të gjitha rrethanat se si ka ndodhur shpërthimi.
Për Gazetën Express, Valon Preteni ka thënë se prokurori kujdestar ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe në bashkëpunim më akterët e tjerë të drejtësisë janë duke u marrë me rastin në fjalë.
“Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes, është duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, Njësinë Antiterrorizimit, dhe me Prokurorinë Speciale të Kosovës. Të gjitha rrethanat se si ka ndodhur rasti në fjalë janë duke u hetuar”, ka thënë Preteni.
Ndërkohë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar sot se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës.
Rizvanolli tha se janë vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B dhe se presin që të mos cënohet furnizimi me energji elektrike.
“Në të njëjtën kohë, jemi koordinuar me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale”, ka shkruar Rizvanolli.
Ajo e ka cilësuar këtë si akt terrorist, që tha se ka ndikur edhe tek furnizimi me ujë.
Sipas saj, në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm.
“Qytetarët inkurajohen të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta.Faleminderit Ibër Lepencit, Policisë së Kosovës dhe KEK-ut për reagimin e shpejtë, si dhe AME-së dhe KRU-ve, të cilët kanë vënë në dispozicion të gjitha autobotët dhe kapacitetet e nevojshme njerëzore për një zgjidhje emergjente”, ka shkruar Rizvanolli.