Një person i dyshuar për vrasjen e 11 njerëzve në një sinagogë në Pittsburgh është akuzuar për vrasje, në atë që besohet të jetë sulmi më i keq antisemit në historinë e kohëve të fundit në ShBA.
Robert Bowers, 46 vjeç, është akuzuar se hapi zjarr në sinagogën “Pema e Jetës” derisa po bëheshin shërbimet e Sabbath.
Ai përballet me 29 akuza, duke përfshirë edhe përdorimin e armëve të zjarrit për të kryer vrasje.
Prokurorët federalë thonë se ata do të ngrenë gjithashtu edhe akuza për krime të urrejtjes dhe i dyshuari mund të përballet me dënim me vdekje, raporton BBC.
Presidenti Donald Trump e përshkroi sulmin si një “akt vrasjesh masive”.
Gjashtë vetë, duke përfshirë katër oficerë policie, u plagosën në sulmin e së shtunës.
I dyshuari u plagos gjithashtu në një shkëmbim zjarri me policinë.
Qindra vetë nga lagjja dhe shumë persona në Pittsburgh, më vonë u mblodhën për një vigjilje ndërfetare për viktimat e sulmit në sinagogë në Ketrin Hill.