Sulmi në Banjskë dhe shumë aktivitete të mëhershme subversive të Serbisë kundër Kosovës (muri në Mitrovicë, treni rus, barrikadat, dalja nga institucionet, bojkoti i zgjedhjeve, sulmi ndaj KFOR-it) janë të konceptuara e të udhëhequra në bazë të doktrinës Gerasimov. Pikë për pikë.
Nuk jam në dijeni që ndokush nga qeveritarët tanë të mëhershëm e as nga këta të tashmit që e kanë kuptuar saktë dhe e kanë denoncuar këtë strategji. Qeveritarët tanë vazhdimisht kanë vepruar në mënyrë reaktive, por duke mbetur gjithnjë në defansivë. As akterët ndërkombëtarë nuk e kanë kuptuar me kohë.
Bile as sulmin brutal të 29 majit 2023 kundër pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan nuk e kanë gjykuar brenda atij konteksti. Për herë të parë seriozitetin e problemit e kanë kuptuar britanikët, pas sulmit terrorist të 24 shatorit 2023 në Banjskë. Reagimi energjik i KFOR-it, rritja e kontigjentit të ushtarëve britanikë dhe vizita e ministrit të jashtëm britanik, me gjasë ka ardhë si rezultat i atij konkluzioni. Prandaj tash e tutje parandalimi dhe pengimi i aksioneve subversive nga territori serb po edhe nga aksionet eventuale brenda Kosovës, janë të dekonspiruara si projekt i doktrinës Gerasimov.
Në tekstin e gjeneralit rus, Valerij Gerasimov të vitit 2013, ndër të tjera thuhet: “Theksi i metodave të shfrytëzuara drejtohet në përdorimin e gjerë të masave politike, ekonomike, informative, humanitare dhe masave të tjera joushtarake, të aplikuara duke shfrytëzuar potencialin protestues të banorëve (popullsisë)”
Në pajtim me këtë recetë, Serbia ka vite që përdorë masat politike (presioni për të mbajtur zgjedhjet e Serbisqë edhe brenda Kosovës, kushtëzimin dhe shantazhin politik ndaj vendimeve në Kuvend, bllokimin e institucioneve, mospagesën e energjisë elektrike nga banorët serbë në veri, denoncimet që propagandohen për gjoja pengimin e futjes së barnave në institucionet shëndetësore që menaxhohen nga Serbia, vendosja e barrikadave, djegia e veturave, ekspodimet.
Pra, veprimet nga shteti serb koordinohen me popullsinë lokale. Në tërë këtë strategji, sulmi terrorist në Banskë ka pasur një objektiv final: marrjen e një pjese të territorit nën kontroll nga struktura lokale, për ta shndërruar Kosovën në shtet të dështuar dhe të bllokuar në procesin e integrimit në BE e sidomos në NATO. Kjo praktikë është e zbatuar nga Rusia në Gjeorgji, në Moldavi dhe në Ukrainë.
Zbatimi i doktrinës Gerasimov kundër Kosovës nga ana e Serbisë, më shumë është interes i Rusisë se sa i vetë Serbisë. Por, Serbia e regjimit të Vuçqit është shndërruar në shtet vasal të Putinit dhe zbaton aksionet që i urdhërohen nga Kremlini. Shërbimet sekrete serbe, së bashku me Qendrën Humanitare Serbo-Ruse në Nish janë nën direktivën e Kremlinit. Vuçiqi është pjesë e atij projekt po edhe peng i atij projekti. Prandaj SHBA, BE e sidomos NATO nuk duhet të kenë asnjë gram besim në deklarimet e Vuçiqit dhe të qeverisë serbe, se gjoja punojnë për paqe, gjë që Vuçiqi e llomotitë ldo ditë. Ai vërtet është gënjeshtar patologjik, po në këtë rast është edhe vasal i pashpresë i Putinit.
Rrjedhimisht në raport me të nuk bën punë karrota e BE-së, SHBA-së dhe e NATO-s. Si vasal i Putinit, Vuçiqi është armik i BE-së, SHBA-së dhe NATO-s. Vetëm presionet e sanksionet e forta mund ta shkëpusin nga influenca ruse përkatësisht nga tentimi që ta zbatojë në drejtim të Kosovës doktrinës Gerasimov, me të cilën do të shkaktohej një luftë e re e armatosur në Ballkan, për interesa të Rusisë.