Sulmi terrorist në Vjenë që tronditi botën, krejt çka dihet deri më tani

Prishtinë | 03 Nën 2020 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Persona të armatosur hapën zjarr ndaj njerëzve që kishin dalë për të shijuar një mbrëmje të fundit në Vjenë përpara se të hynin në fuqi masat e ndalim-qarkullimit për koronavirusit të hënën, në një sulm terrorist që shkaktoi vdekjen e të tre personave – përfshirë një nga autorët e sulmit – dhe plagosjen e 15 të tjerëve, thanë autoritetet.

“Jam i kënaqur që policia jonë ishte në gjendje të neutralizonte një nga anutorët e sulmit,” tha kancelari austriak Sebastian Kurz. “Ne kurrë nuk do t’i lejojmë vetes të frikësohemi nga terrorizmi dhe do t’i luftojmë këto sulme me të gjitha mjetet.”

Policia tha se disa të shtëna u qëlluan pak pas orës 8 në mbrëmje në një rrugë me shumë lëvizje në qendër të qytetit dhe se zjarri ishte hapur nga gjashtë pika.

Zyrtari më i lartë i sigurisë i Austrisë tha se autoritetet besojnë se bëhej fjalë për disa persona të armatosur dhe një operacion policor po vazhdonte disa orë pas sulmit.

“Duket se ka qenë një sulm terrorist,” i tha Ministri i Brendshëm Karl Nehammer medias publike ORF, duke shtuar se autorët e sulmeve ishin të armatosur me pushkë. Ai tha se ushtrisë iu kërkua të ruante zonat kyçe në qytet, në mënyrë që oficerët e policisë të kishin mundësi të merreshin me ndjekjen e autorëve të sulmit.

Kryebashkiaku i Vjenës, Michael Ludwig tha se 15 persona u shtruan në spital, shtatë prej të cilëve me plagë të rënda.

Oskar Deutsch, kreu i komunitetit hebre në Vjenë, tha se të shtënat ndodhën në rrugën para sinagogës kryesore të qytetit, por se nuk ishte e qartë nëse ajo ishte objekti i sulmit. . Sinagoga ishte e mbyllur në atë kohë, shkruante Deutsch në Twitter.

Rabini Schlomo Hofmeister tha se kishte parë të paktën një person që kishte hapur zjarr ndaj njerëzve që ishin jashtë në bare në rrugën poshtë dritares së tij.

“Ata po qëllonin me të paktën 100 fishekë para ndërtesës sonë,” tha rabini Hofmeister.

“Të gjitha këto bare kanë tavolina jashtë. Kjo mbrëmje është e fundit para masave të mbylljes,” shtoi ai. “Që nga mesnata, të gjitha baret dhe restorantet do të mbyllen në Austri për një muaj dhe shumë njerëz ndoshta donin të përfitonin nga kjo mbrëmje për të dalë jashtë.”

Kancelari Kurz tha se këto ishin “orë të vështira për republikën tonë” dhe u zotua: “Policia jonë do të veprojë me vendosmëri kundër fajtorëve të këtij sulmi të neveritshëm terrorist”.

Presidenti francez Emmanuel Macron shkroi në Twitter se francezët “ndajnë tronditjen dhe pikëllimin e popullit austriak të vënë sot në shënjestër të një sulmi “.

“Pas Francës, ky është një vend mik që është sulmuar. Kjo është Evropa jonë. Ne nuk do të dorëzohemi,” shkruante ai.

Franca ka përjetuar tre sulme për të cilat mbahen përgjegjës ekstremistë myslimanë në javët e fundit: një nga një refugjat pakistanez që plagosi dy persona para zyrave të dikurshme të gazetës satirike Charlie Hebdo; prerja e kokës së një mësuesi që u kishte treguar studentëve karikaturat e Profetit Muhamed; dhe një sulm vdekjeprurës me thikë të enjten në një kishë në qytetin mesdhetar të Nicës. Franca ka vendosur nivelin maksimal të sigurisë.

Autoritetet në Vjenë u kërkuan njerëzve të shmangin të gjitha hapësirat e hapura dhe transportin publik. Policia tha se tramvajet dhe autobusët nuk po ndalonin dhe u kërkoi përdoruesve të mediave sociale të mos postojnë video të operacionit policor në mënyrë që të mos rrezikojnë oficerët.

Të ngjashme