Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka shprehur shqetësim ndaj dhunës fizike e cila ka ndodhur të hënën gjatë vizitës shtëpiake të ekipit të Qendrës së Mjekësisë Urgjente ku është sulmuar fizikisht nga familjarët e pacientit infermieri I.S.
Sipas njoftimit, pas thirrjes telefonike prej familjarit për vizitë shtëpiake kanë shkuar ekipi prej 3 punëtorëve shëndetësorë dhe gjatë kontrollimit të pacientit derisa po ofronte shërbime shëndetësore për pacient është sulmuar fizikisht infermieri I.S.
“Deri tek sulmi ka ardhur pikërisht kur infermieri ka kërkuar të mos fotografohet dhe mos të bëjnë video stafit mjekësor, mirëpo familjari i pacientit ka filluar të bëjë foto dhe duke incizuar me video, në ato momente sulmuesi e ka sulmuar fizikisht infermierin në fjalë. Për këtë rast është njoftuar menjëherë Policia e cila ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është marrë me rastin. FSSHK-ë fton organet e rendit dhe të drejtësisë të veprojnë konfrom legjislacionit në fuqi që ndaj kryerësve të kësaj vepre të shëmtuar të shqiptohet dënimi meritor”, thuhet në njofti..
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka dënuar rëndë dhunën e ushtruar ndaj punëtorëve shëndetësorë, dhe ka kërkuar nga instancat më të larta shtetërore që të merren me rastin në fjalë, duke ditur që raste të tilla të turpshme janë bërë të shpeshta të cilat po e fyejnë rëndë identitetin dhe imazhin e punëtorëve shëndetësorë në vend.