Derisa kanë filluar nënshkrimet e peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë, një e tillë në Prizren është sulmuar sot.
“Ec Ma Ndryshe” ka publikuar fotografi nga vendi i ngjarjes, ku edhe shihet e shkatërruar pjesa ku po bëheshin nënshkrimet.
“Sulmohet peticioni dhe kërcënohen me armë të ftohta vullnetaret”, thuhet ndër tjerash.
Sot, thuhet në njoftim, vullnetarët e peticionit kundër ndërtimit të hidrocentraleve janë sulmuar dhe kërcënuar me armë të ftohta në qytetin e Prizrenit.
“Personi i cili tashmë është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës ka demoluar shtandin e peticionit me shkop bejsbolli dhe ka kërcënuar dy vullnetaret me tone të ashpra duke fotografuar fytyrat e tyre, dhe duke vazhduar pastaj kërcënimin me anë të thikës”, thuhet tutje.
Kujtojmë se peticion i ngjashëm ka nisur edhe në Prishtinë, me po të njëjtën moto “Uji në gypa, milionat në xhepa”.
Shkatërrimi i vazhdueshëm i resurseve natyrore nga të gjithë ata që abuzojnë dhe shfrytëzojnë resurset e vendit për përfitime individuale, qofshin vendimmarrës apo investitorë, ka shtyrë disa OJQ që të organizojnë një aksion për mbledhjen e nënshkrimeve që të parandalohet ndërtimi i hidrocentraleve.