Një burrë dhe një grua u vranë në sulmin e djeshëm terrorist në Londër, i cili u krye nga një ekstremist islamik që më parë ishte burgosur për planifikim të një sulmi tjetër.
Policia britanike është duke hetuar se si 28-vjeçari Usman Khan pati mundësi të kryejë sulm në Urën e Londrës të premten, pavarësisht faktit se ishte i njohur për autoritetet dhe ishte i pajisur me një pajisje elektronike për përcjelljen e vendndodhjes. Ai ishte liruar para një viti pasi e kishte vuajtur dënimin për planifikimin e një sulmi në Londër.
“Aq sa dimë deri më tash, sulmuesi mori pjesë në një tubim të premten pasdite. Ne besojmë se sulmi filloi brenda hapësirës ku po mbahej tubimi dhe vazhdoi më pas në Urën e Londrës, ku ai u ndalua dhe më pas u qëllua nga zyrtarët e armatosur”, tha Neil Basu nga policia e Londrës.
Emrat e dy personave të vdekur nuk janë publikuar nga autoritetet. Në këtë sulm mbetën të plagosur edhe një burrë dhe dy gra të tjera. Ata u dërguan në Spitalin Mbretëror të Londrës për të marrë trajtim mjekësor. Mjekët njoftuan se njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike, ndërsa dy të tjerët kanë pësuar lëndime më të lehta.
Sulmuesi Khan ishte pjesë e nëntë anëtarëve të një grupi terrorist që po planifikonte sulme në ndërtesën e këmbimeve të valutave. Ata besohet se e kishin planifikuar edhe ndërtimin e një kampi terrorist për trajnime në Pakistan, por një gjë e tillë ishte zbuluar dhe parandaluar nga inteligjenca britanike, shkruan “The Guardian”.