Gjykata në Zelandë të Re ka dënuar me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht Brenton Tarrant që vrau 51 njerëz në dy xhami në Christchurch.
Brenton Tarrant është personi i parë në historinë e Zelandës së Re që e ka marrë këtë dënim.
Australiani 29 vjeçar akuzohet për vrasjen e 51 personave, tentim vrasjen e 40 personave të tjerë dhe për terrorizëm.
Gjykatësi i ka cilësuar veprimet e tij “çnjerëzore” duke shtuar se “ai nuk ka treguar aspak mëshirë”.
Sulmi që ndodhi në dy xhamitë në Christchurch në marsin e kaluar e që u shfaq drejtpërdrejtë online shokoi botën.
Dënimi i Tarrant shënon edhe dënimin e parë për terrorizëm në historinë e Zelandës së Re.
“Krimet e tua janë aq të liga sa edhe nëse dënohesh derisa të vdesësh nuk do të shterojë kërkesat për dënim”, ka thënë gjykatësi Cameron Mander në seancë.
Derisa po e shqiptonte dënimin e përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, gjykatësi Mander tha “Nëse jo këtu, atëherë kur?”.
Ky dënim nënkupton që i dënuari nuk do ta ketë mundësinë që të lirohet nga burgu pasi ta ketë kryer vetëm një pjesë të dënimit të përgjithshëm.
Gjykatësi Mander ka thënë se dënimet e përjetshme pa mundësi lirimi me kusht janë të rezervuara vetëm për “vrasësit më të këqinj”.
Zelanda e Re nuk e ka dënimin me vdekje si pjesë të sistemit të saj të drejtësisë.