Me Arbër Zenelin dhe Milot Rashicën të lënduar, përzgjedhësi Bernard Challandes do të duhej të bënte zgjedhje të tjera për fazën ofensive, për ndeshjet e rëndësishme me Çekinë dhe Anglinë.
Derisa Vedat Muriqi me formën që po kalon vetëm po çimenton statusin e tij si top-sulmuesi i Kosovës, kandidatë po dalin për të mbuluar pozitat e sulmuesve të krahut, me formën e lartë që po kalojnë së fundi, shkruan sot Koha Ditore.
Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ende nuk ka publikuar listën për ndeshjet me Çekinë dhe Anglinë, ndërsa ai në fundjavë ka marrë sinjale pozitive nga një pjesë e lojtarëve ofensivë.
Është e qartë që lista e Challandesit do të jetë pa Zenelin e Hekuran Kryeziun, por me shumë mundësi edhe pa Milot Rashicën e Herolind Shalën. Në dyshim është edhe Benjamin Kololli e ndonjë tjetër.
Por tifozët e Kosovës i gëzon forma e lartë e një pjese të lojtarëve para ndeshjeve të shtatorit. Sidomos Vedat Muriqi nuk ka të ndalur në ngritjen e tij.
Pasi në verë iu bashkua gjigantit turk, Fenerbahçe nga Rizespori, sulmuesi i fuqishëm ka filluar shumë mirë stinorin në Superligën e Turqisë.