Imagjinoni të udhëtoni pas në kohë, dhe të vëzhgoni oqeanet e 5 milionë viteve më parë. Ndërsa qëndroni në bregun e detit, shihni disa balena të vogla në distancë, që notojnë mbi sipërfaqen e një deti të lashtë. Papritur, dhe pa asnjë paralajmërim, një krijesë e madhe del nga thellësitë.
Me nofullat e tij të mëdha, përbindëshi kafshon njërën nga balenat, dhe e zhyt poshtë në thellësi. Copa të mëdha të trupit të balenës shkëputen, dhe gëlltiten të tëra nga krijesa gjigante. Pjesa tjetër e balenave shpërndahet.
Ju sapo keni parë kohën e ngrënies së Megalodonit – i njohur zyrtarisht si Otodus Megalodon– peshkaqeni më i madh që ka jetuar ndonjëherë në Tokë. Megalodoni do të shfaqej në planet rreth 15 deri në 20 milionë vjet më parë. Ai peshonte mbi rreth 50 tonë, pra 50.000 kilogramë, dhe kishte një gjatësi prej 15-18 metrash.
Pra kjo kafshë ishte më e gjatë sesa një autobus shkolle, dhe më e rëndë se një vagon treni.
Nofullat e tij ishin deri në 3 metra të gjera, dhëmbët deri në 17.8 centimetra të gjatë, dhe forca e kafshimit 2.800 kilogramë për centimetër katror.
Me këto përmasa, nuk është e çuditshme që Megalodonët gjuanin kafshë të mëdha. Shkencëtarët e dinë këtë pasi kanë gjetur copëza dhëmbësh Megalodoni të ngulitur në kockat e kafshëve të mëdha detare. Por përveç balenave ata hanin edhe peshq të mëdhenj, foka, luanë deti, delfinë si dhe peshkaqenë të tjerë.
Në internet qarkullojnë shpesh thashetheme, se këto krijesa vazhdojnë të ekzistojnë ende sot. Por kjo nuk është e vërtetë. Megalodonët janë zhdukur, dhe kjo ndodhi rreth 3.5 milion vjet më parë. Shkencëtarët e dinë këtë sërish duke analizuar dhëmbët e tyre.
Të gjithë peshkaqenët – përfshirë Megalodonët – prodhojnë dhe në fund humbasin dhjetëra mijëra dhëmbë gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo do të thotë se shumë nga këta dhëmbë kanë mbetur si fosile. Disa gjenden në fund të oqeanit; të tjerët kanë dalë herë pas here në breg.
Por askush nuk ka gjetur ndonjëherë një dhëmb Megalodoni, që të jetë më pak se 3.5 milionë vite i vjetër. Kjo është një nga arsyet pse shkencëtarët besojnë se Megalodoni u zhduk në atë periudhë. Për më tepër, këto krijesa e kalonin pjesën më të madhe të kohës së tyre relativisht afër bregut, një vend ku mund ta gjenin lehtësisht prenë e tyre.
Prandaj nëse Megalodonët do të ekzistonin ende sot, njerëzit me siguri që do t’i kishin parë. Ata ishin shumë të mëdhenj për të mos u vënë re, dhe me siguri do të kishim shumë foto dhe video të tyre. Ndoshta nuk ka pasur një arsye të vetme që çoi në zhdukjen e këtij mega-grabitqari mahnitës, por një përzierje sfidash komplekse.
Së pari, klima ndryshoi në mënyrë dramatike. Temperatura globale e ujit ka rënë, dhe kjo e reduktoi zonën ku mund të lulëzonte Megalodoni, një peshkaqen që pëlqente ujërat e ngrohta. Së dyti, për shkak të ndryshimit të klimës, specie të tëra që gjuanin Megalodonët u zhdukën përgjithmonë.
Në të njëjtën kohë, konkurrentët ndihmuan në çuarjen e Megalodonit drejt zhdukjes, dhe këtu përfshihet edhe peshkaqeni i bardhë . Edhe pse ishin vetëm një e treta e madhësisë së Megalodonëve, ndoshta peshkaqenët e bardhët gjigante hanin të njëjtën specie.
Pastaj ishin edhe balenat vrasëse, edhe kjo një specie tashmë e zhdukur. Ata rriteshin në madhësi po aq sa Megalodoni, madje kishin dhëmbë edhe më të mëdhenj. Po ashtu, ishin specie me gjak të ngrohtë. Pra kjo do të thoshte se ata mund të jetonin në një habitat të zgjeruar, pasi nuk e kishin problem të jetuarit edhe në ujëra të ftohtë.
Balenat vrasëse udhëtonin ndoshta në grupe, ndaj ato ishin të avantazhuara kur përballeshin me një Megalodon, që ndoshta gjuante i vetëm. Ftohja e deteve, zhdukja e gjahut dhe konkurrenca, ishte e tepërt për Megalodonin. Dhe kjo është arsyeja pse nuk do të gjeni kurrë një dhëmb Megalodoni të kohëve moderne.