Nintendo ka zbuluar në një konferencë për media, atë çfarë tashmë dihej – Super Mario Run është një sukses i madh.
Kompania ka konfirmuar se loja është shkarkuar mbi 40 milionë herë në katër ditët e para, duke thyer kështu rekordin në App Store të lojës tjetër të Nintendos, Pokemon GO.
Përveç që është shkarkuar kaq shumë, Super Mario Run po ashtu është e para në listën ‘Pa pagesë’ në 140 tregje të ndryshme të botës, dhe në top dhjetëshin e aplikacioneve me pagesë/fitim të 100 tregjeve të ndryshme në App Store.
Ky fakt nuk është ndonjë befasi, për disa arsye. Super Mario Run është loja e parë që Nintendo e ka krijuar vetë për këtë platform mobile, e bazuar në lojën fitimprurëse, Super Mario. Në anën tjetër, partneriteti i Nintendo me Apple ka sjellur frutë të mira pasi që Appla ka bërë reklamim të shumtë të lojës në të gjitha tregjet e App Store.
Për më shumë, loja paraqitet si pa pagesë, duke shtyrë kështu shkarkime më të shumta, mirëpo pas nivelit të tretë, kërkohet që të bëhet pagesa për të vazhduar në nivelet më të larta.
Si duket, kjo strategji po funksionon mirë për Nintendo edhe pse mbetet të shihet në ditët e ardhshme se sa para ka bërë kompania nga kjo lojë.