Superkupa e Kosovës, ndeshje kjo e paraparë të zhvillohet më 28 shtator në mes Sigal Prishtinës dhe Pejës është shtyrë për kohë të pacaktuar.
Një vendim të tillë e ka marr Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) pas kërkesës së bërë nga të dyja klubet, Prishtina dhe Peja për ta shtyrë këtë ndeshje, me arsyetimin se dëshirojnë të përgatiten sa më mirë për FIBA Europe Cup, Ligën Ballkanike dhe për garat vendore.
“Bordi i FBK-së ka votuar pro shtyrjes për kohë të pacaktuar të Superkupës së Kosovës, pasi një kërkesë e tillë është bërë nga Sigal Prishtina dhe Peja. Duke marr parasysh itenerarin e ngjeshur që do ta kenë këto dy klube në muajt e ardhshëm dhe ngarkesës së madhe, pasi që do të garojnë në tri kompeticione, atëherë Bordi ka votuar që Superkupa të luhet në një datë tjetër, për të cilën opinioni, por edhe klubet do të njoftohen me kohë”, ka deklaruar Leart Hoxha, sekretar i përgjithshëm i FBK-së.
Duhet theksuar se në edicionin paraprak fituese e Superkupës së Kosovës ka qenë Peja, derisa Prishtina është kampione në fuqi dhe fituese e Kupës së Kosovës, si dhe fituese e trofeut të Ligës Ballkanike.
Një edicion më parë ishte Sigal Prishtina skuadër kjo që debutoi në FIBA Europe Cup, derisa këtë edicion do të garoj edhe Peja. Ndërkaq në Ligën Ballkanike, Kosova do të paraqitet me 4 skuadra, pra përveç dy të lartëpërmendurave në BIBL do të luajnë edhe Bashkimi nga Prizreni dhe Trepça nga Mitrovica.