Kolegji i Gjykatës Supreme e ka hedhur si të palejuar ankesën e Merita Kurtishi-Gakës, prokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të paraqitur kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, lidhur me procesin e zgjedhjes së Elza Bajrami-Kastratit si anëtare e KPK-së.
Supremja njofton se Kurtishi-Gaka kishte paraqitur ankesë në këtë Gjykatë, kundër vendimit të KPK-së, me propozim që të anulohet ky vendim si i kundërligjshëm dhe të rishpallet proces i ri zgjedhor.
“…të anulohet njoftimi me nr. KZ-KPK, datë 1.11.2025, dhe të detyrohet KPK, që të anulojë tërësisht procesin e zhvilluar të zgjedhjeve dhe zgjedhjen e kandidatit të shpallur fitues, si dhe të rishpallë dhe organizojë një proces të ri zgjedhor, në pajtim të plotë me ligjin”, thuhet në njoftim.
Gjykata Supreme pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të lejueshmërisë së ankesës, ka gjetur se ankesa është e palejuar, pasi sipas saj, nuk kemi të bëjmë as me emërim, as me shkarkim të prokurorit dhe as me shkarkim të një anëtari të Këshillit Prokurorial, raste kur prokurorët kanë të drejtë të ankohen drejtëpërdrejtë në Gjykatën Supreme.