Naser Pajazitaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, do të gjykohet edhe njëherë lidhur me akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.
Kjo pasi që Gjykata Supreme e Kosovës, i ka prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta, tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj.
Pasi që në rastin e parë, i akuzuari Pajazitaj ishte liruar nga akuza, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim, ku pas këtij procesi, Themelorja në Pejë, atë e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.
E aktgjykimin e Themelores, më pas e kishte vërtetuar edhe shkalla e dytë, përkatësisht Gjykata e Apelit.
Por, Gjykata Supreme e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar dy aktgjykimet paraprake.
Supremja ka konstatuar se të dy aktgjykimet kanë qenë të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, për shkak të mos arsyetimit të refuzimit të propozimeve të bëra nga mbrojtësi i të pandehurit.
“Veçanërisht nuk është dhënë arsye përkitazi me mos ftesën, në cilësinë e dëshmitares Hejdije Kelmendi, përkitazi në komunikimet përkatësisht me informatën e pranuar përmes ‘Viber’-it nga një qytetare anonime nga Gjermania dhe këto informacione me siguri do të ndriçonin çështjen penale”, thuhet në vendimin e Supremes, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.
Aty thuhet se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsyetim të pamjaftueshëm për poseduesin e numrit të telefonit që dyshohet se është kontaktuar nga ana e tani të ndjerës dhe një personi tjetër.
Supremja ka konstatuar se është e nevojshme që të sqarohet aspekti i aktivizimit të kamerave, se pse nuk ka pasur vazhdimësi të kohës së xhirimit.
Sa i përket listës së thirrjeve lidhur me vendndodhjen e të akuzuarit, e cila ka qenë provë e re sipas gjykatës së shkallës së parë, Supremja ka kërkuar të angazhohet një ekspert i lëmisë përkatëse, për të qartësuar faktin e aktivizimit të antenave në ditën kritike.
Gjithashtu, Supremja ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë është dashur që në mënyrë të hollësishme të arsyetojë mënyrën dinake të veprimit të të akuzuarit me rastin e privimit nga jeta të tani të ndjerës.
“Gjykata e Pejës ta ftojë dëshmitarën Hejdije Kelmendi për të sqaruar informatat e pranuar përmes “Viberit”, nga ana e personit të panjohur, të sqarohet se si ka funksionuar kamera e vendosur në shtëpinë e Nedi Jusaj, se incizimi a bëhet me vazhdimisht apo me lëvizjen e objekteve dhe të caktohet eksperti i telekomunikacionit që të jep sqarime lidhur me faktin se cilin territor e mbulon antena Zllapekut dhe cilën e mbulon antena e Strellcit, dhe Bjeshkët e Strellcit”, thuhet tutje në vendim.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.
Pas kthimit në rigjykim, shkalla e parë kishte vlerësuar se thirrja telefonike e Naser Pajazitaj, ka qenë një nga provat kryesore që kanë ndikuar që i njëjti të dënohet me burgim të përjetshëm.
Sipas aktgjykimit të marr me 25 mars 2019, nga gjykatësit Kreshnik Radoniqi, thuhet se kjo gjykatë ka konstatuar se përmes provave të administruara në shqyrtimin kryesor se i akuzuari Naser Pajazitaj, në mënyrë dinake ka privuar nga jeta, tani të ndjerën Donjeta Pajazitaj.
Sipas shkallës së parë, provë e re ka qenë lista e thirrjeve nga i akuzuari që ka bërë në ditën kritike, me ç’rast është aktivizuar antena, e cila mbulon bjeshkën e Strellcit.
“Që të vërtetohet se alibia e të akuzuarit është e rrejshme si dhe të lidhet i akuzuari me vendin e ngjarjes në bjeshkën e Strellcit, gjykata përmes urdhëresës ka siguruar një raport nga policia lidhur me hartografinë, që nuk ishte bërë gjatë hetimeve. Nga raporti i policisë lidhur me thirrjet e të akuzuarit pasi që është zhdukur Donjeta, rezulton se i akuzuari në ora 15:19 ka thirr dëshmitarin Zeqir Zeqaj. Në momentin e thirrjes e kishte aktivizuar antenën në fshatin Zllapek, të emëruar “Zllapek_I”. Kjo antenë, sipas raportit të policisë e të verifikuar nga raporti i zyrës ligjore të “PTK Vala”, mbulon edhe bjeshkën e Strellcit, pikërisht vendin ku është gjetur viktima”, thuhet në arsyetimin e këtij aktgjykimi.
Në aktgjykimin e arsyetuar me shkrim, thuhet se deklarimet e të akuzuarit Pajazitaj lidhur me ditën kritike rezultojnë të jenë të pavërteta.
“Deklarimi i të akuzuarit Naser Pajazitaj në ditën kritike se pas varrimit Shefqet Zeqës, rreth orës 14:15 ose rreth 14:30, është kthyer në shtëpi, ka ngrënë drekë, ka pi kafe me bashkëshorten dhe kah ora 15:00 apo 15:20 kishte ardhur dëshmitari Zeqir Zeqaj e ka marrë atë dhe bashkëshorten e tij dhe kanë shkuar në Pejë që t’i merr disa të holla që i kishte dërguar vajza e tij, sipas Gjykatës nuk rezulton të jetë i vërtetë. Nga të dhënat e PTK-Vala nuk rezulton të jetë ashtu. Në ora 15: 19 i akuzuari me numrin e tij të telefonit ka thirr në numrin e telefonit të Zeqir Zeqaj dhe ka aktivizuar antenën në Zlluapek, e jo ne Strellc apo Lubeniq, si antena me të afërta nga shtëpia e tij, dhe të cilat zakonisht i aktivizon. Antena në Zllapek siç u theksua me lartë e mbulon edhe Bjeshkën e Strellcit, pikërisht vendin ku është gjetur viktima. Dëshmitari Zeqaj nuk pranon te ketë biseduar në telefon me të akuzuarin, por listingu ekziston dhe është e pakontestueshme qe thirrja është bërë. Për këtë gjykata dëshmitarit Zeqaj nuk i fal besimin”, theksohet në arsyetimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
Aty thuhet se kur i akuzuari Naser Pajazitaj, me veturën e tij e ka marrë tani të ndjerën dhe e ka dërguar rrugës për në bjeshkën e Strellcit, është aktivizuar antena, e cila mbulon pikërisht këtë bjeshkë dhe se vendi ku është gjetur tani viktima, ishte i qasshëm me veturën e tipit “Xhip”, të cilën e kishte i akuzuari.
Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015 rreth orës 14:30 në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, me armë, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta të ndjerën Donjeta Pajazitaj. Derisa e ndjera ka qenë duke shkuar në punë në këmbë, aty kalon i pandehuri me veturën e tij, e merr të ndjerën, e dërgon në bjeshkët e lartcekura, ku fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokë të saj, e më pas për të humbur gjurmët të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Trupi i të ndjerës gjendet pas më shumë se një muaji.
Me këtë, Pajazitaj akuzohej se ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë” nga neni 179 par 1 pika 1.4 dhe 1.12 të KPRK-së.
Aktakuza të njëjtin e ngarkonte edhe me vepër penale të “mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim te paautorizuar të armëve” nga neni 374 par 1 të KPRK-së, gjegjësisht të një arme automatike, pushkës se gjuetisë, 12 fishek dhe një armë e tipit “AK 47”.