Supremja hedh poshtë ankesën e VV-së ndaj PZAP-së për certifikimin e Listës Serbe

Prishtinë | 31 Dhj 2024 | 11:25 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme e Kosovës ka dalë me aktvendim duke e hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje që e paraqiti kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me Listën Srpska.

Lajmin për Ekonomia Online e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Lutfiu-Uka.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 30 dhjetor 2024, e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me këtë aktvendim urdhërohet që ta certifikojë subjektin politik Lista Srpska dhe kandidatët e këtij subjekti për zgjedhjet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 09.02.2025, thuhet në aktvendimin e gjykatës.

Më 23 dhjetor, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ votuan kundër certifikimit të Listës Srpska me arsyetimin se kjo parti s’e njeh shtetin e Kosovës dhe se ka përdorur termin “Kosova dhe Metohia”.

Pas kësaj, Srpska u ankua te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili më pas ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e ka urdhëruar atë që ta certifikojë Listën Srpska.

Të premten, Vetëvendosje bëri ankesë në Gjykatën Supreme.

Të ngjashme