Gjykata Supreme e Kosovës e ka vërtetuar aktgjykimin dënues të Apelit ndaj Adem Grabovcit, Ilhami Gashit dhe Sadat Gashit.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Supremja ka bërë me dije se ka refuzuar si të pabazuara ankesat Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale kundër të akuzuarve A.G., I.G. dhe S.G., për shkak të veprave penale shkelja e statusit të barabartë të shtetaseve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, duke vendosur lidhur me ankesën Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të dënuarve, të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, pas mbajtjes së seancës publike, më 29 shtator 2020, me aktgjykimin PA.II.nr.3/2020, refuzoi si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, A.G., I.G. dhe S.G., ndërsa e vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, ish-zyrtari i lartë i PDK-së, Adem Grabovci është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht nga Gjykata e Apelit lidhur me rastin “Pronto”.
Grabovcit i është shqiptuar dënimi unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, por i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje pre 2 viteve.
Gjykata e Apelit ia ka hequr Grabovcit të drejtën për t’u zgjedhur dhe ia ka ndaluar ushtrimin e funksioneve ne administratën publike apo shërbimin publik për 2 vjet.
Apeli i kishte dënuar edhe Ilhami Gashin e Sadat Gashin në të njëjtin rast.
Ilhami Gashi ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim me kusht, ndërsa Sadat Gashi me 8 muaj burgim me kusht.