Gjykata Supreme ka vërtetuar fajësinë e Zeqirija Qazimit dhe të akuzuarve tjerë të rastit të tij, duke i refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë e mbrojtësve të dënuarve Zeqirja Qazimi dhe të tjerëve.
KALLXO.com ka siguruar aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës që ka vendosur në kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e mbrojtësve të Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani etj, duke hedhur poshtë pretendimet e avokatëve teksa refuzoi kërkesat si të pabazuara.
Gjykata Themelore në Ferizaj më 20 Maj 2016, i gjeti fajtor dhe i dënoi me 42 vjet burg shtatë persona nën akuzat për rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrja në grup terrorist dhe nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar ose etnik.
Zeqirja Qazimi, ish-imam në xhaminë “El-Kudus” në Gjilan u dënua me 10 vjet burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Me Qazimin, për pjesëmarrje në grup terrorist akuzoheshin edhe Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba.
Gjykata Themelore në Ferizaj i kishte dënuar me 8 vjet burg Ilir Berishën e me 7 vjet e 6 muaj burg Sadat Topojanin. Ilir Krraba ishte dënua me 5 vjet burg, Burim Ballazhi 4 vjet e 6 muaj, Jetmir Kyçyku 4 vjet dhe Liridon Kabashi 3 vjet.
Këto dënime u vërtetuan nga Gjykata e Apelit në nëntor të vitit të kaluar ndërsa mbrojtja e pakënaqur ju drejtua Gjykatës Supreme të Kosovës me kërkesa për mbrojte të ligjshmërisë.
Në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të Zeqirja Qazimit, avokati Murat Demolli në kërkesën e vet pretendon se aktgjykimet e kundërshtuara janë të përfshira me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas kërkesës, dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë është i pakuptueshëm, kundërthënës me brendinë e tij dhe me arsyetimin e tij si dhe i bazuar në prova selektive.
Gjithmonë sipas pretendimeve të parashtruara në kërkesën e mbrojtjes, në aktgjykimin e shkallës së parë nuk janë paraqitur arsyet për faktet vendimtare ndërsa arsyet e dhëna janë kundërthënëse dhe të njëanshme. Po ashtu, aty thuhet se gjykata ka lejuar të dëgjohet si dëshmitar një hetues, lidhur me transkriptet e SMS-ve dhe ky dëshmitar ato i ka komentuar edhe pse nuk ka qenë ekspert.
Ndër të tjera në kërkesë pretendohet se Zeqirija Qazimi asnjëherë nuk ka shkëmbyer SMS me të bashkë akuzuarit apo me personat që kanë shkuar në Siri.
Njëjtë sikur kërkesën e mbrojtjes së Zeqirija Qazimit, Gjykata Supreme hodhi poshtë edhe kërkesën me pretendimet e mbrojtjes për të dënuarit e tjerë Ilir Berisha, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi, e Sadat Topojanit.(Kallxo.com)