Drejtoresha ekzekutive e Grupit Koha, Flaka Surroi, ka thënë se Komisioni i Pavarur i Medieve nuk do të duhej të vendoste për licencën e Klan Kosovës, pa përfunduar procedura gjyqësore.
“Refuzimi i ankesës së Klan Kosovës në fakt i identifikon dy palë fajtorë në të gjithë çështjen – kjo në rast se gjykata vendos kështu në formë të plotfuqishme. Po qe se arsyetimi për ta pezulluar certifikatën është shkelja e Kushtetutës dhe mohimi i shtetësisë së Kosovës nga ana e atyre që janë regjistruar si pronarë të mediumit, atëherë po aq shkelje e Kushtetutës është vetë fakti i regjistrimit të mediumit me këso dokumente nga një institucion shtetëror”, ka shkruar Surroi.
“Për të konstatuar fajësinë përbrenda, nuk ka nevojë për kallëzim penal të kujtdo në ARBK, për shkak se institucioni do të duhej ta ketë dosjen dhe duhet të ketë procedura të brendshme që vërtetojnë se kush i ka pranuar dokumentet dhe kush e ka lejuar regjistrimin në këtë formë”.
Ajo ka theksuar se do të duhej të kishte kompetencë të mjaftueshme për të konstatuar se çfarë implikimesh fiskale apo të ngjashme ka pasur apo ka mundur të ketë regjistrimi me dokumente që mohojnë shtetësinë e Kosovës.