Shërbimi Korrektues i Kosovës këtë të enjte rreth orës 11:40 në bazë të informacioneve paraprake ka arritur të parandalojë futjen e substancës së dyshuar narkotike në Qendrën e Paraburgimit Prishtinë.
“Me të pranuar informatat se një zyrtar korrektues dyshohet për shpërndarje të lëndëve të dyshuara narkotike brenda Qendrës së Paraburgimit Prishtinë, menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme nga stafi përgjegjës i sigurisë, të cilët kanë lokalizuar vendin, provat materiale dhe zyrtarin e dyshuar”, thuhet në kumtesë, transmeton Klan Kosova.
“Lidhur me rastin janë njoftuar Njësiti Antidrogë i Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin e Policisë për intervistim. Po ashtu, policia ka konfiskuar substancën e dyshuar narkotike për ekzaminim të mëtejmë”.
Ndaj zyrtarit korrektues të dyshuar është ndërmarrë masa e suspendimit nga puna dhe me njëherë është iniciuar procedurë e brendshme disiplinore.