Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se armatimi i zbuluar sot në veri, ka qartësuar planin e Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës përmes agresionit terrorist.
Sveçla përmes një postimi në Facebook, ka sqaruar se armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës.
“Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë. Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë. Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist”, ka shkruar ai.
Tutje ai ka thënë se pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës.