Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla e ka dënuar sulmin me koktej molotovi në pastiçerinë “Sharr” në Mitrovicën e Veriut.
Ai ka kërkuar nga organet përkatëse identifikimin sa më të shpejtë të kryesve e këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre para drejtësisë.
“Prej tri vitesh angazhohemi pa reshtur në shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në veriun e vendit tonë që më parë ka qenë zonë e kontrolluar nga bandat kriminale të Serbisë e njollë e zezë për vendin tonë”.
“Lufta jonë e pandalshme ndaj grupeve kriminale të Serbisë dhe neutralizimi i ndikimit të tyre në masë ka arritur të krijojë normalitet jetese me ç’rast shumë qytetarë tanë atje kanë filluar të krijojnë mundësitë për zhvillimin e tyre. Ky fakt duket se i pengon edhe disa mbetjeve kriminale të Serbisë në veri me ç’rast në mëngjesin e sotëm jam njoftuar se është sulmuar me koktej molotovi pastiçeria “Sharr” në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë ai.
Sveçla gjithashtu tha se sulme të tilla nuk do të na zmbrapsin dhe u shpreh i bindur se nuk do t’i frikësojnë e ndalin as qytetarët.
“Dënoj ashpër këtë sulm dhe kërkoj nga organet përkatëse në identifikimin sa më të shpejtë të kryesve e këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre para drejtësisë. Sulmet e tilla nuk do të na zmbrapsin asesi dhe jam i bindur se nuk do ti frikësojnë e ndalin as qytetarët tanë. Rendi e ligji do të triumfojnë me çdo kusht mbi terrorin”, është shprehur tutje ministri Sveçla.