Sveçla dhe drejtori i PK-së paraqesin prova se grupi terrorist u trajnua në Serbi, u tentua aneksimi i veriut

Mitrovicë | 01 Tet 2023 | 15:50 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë paraqitur videoincizme nga dronët e sekuestruar të grupit terrorist. Këto pamje dëshmojnë se përgatitjet për sulmin terrorist të 24 shtatorit janë bërë në qendrat e trajnimit në Serbi, përkatësisht në zonën e gjerë të Kopaonikut, në afërsi të kufirit me Kosovën e në një pronë të Milan Radoiçiçit, udhëheqësit të grupit terrorist.

Sveçla theksoi se sulmi terrorist i 24 shtatorit në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit ka pasur për qëllim aneksimin nga Serbia të pjesës veriore të Kosovës.

“Në këtë tentim aneksimi të veriut të Kosovës janë angazhuar drejtpërsëdrejti presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq”, tha Sveçla.

“Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim: ankesimin e veriut të Kosovës. Me qëllim të realizimit të aneksimit, institucionet e Serbisë kanë organizuar kapacitetet e saj ushtarake, logjistike dhe financiare. Në vazhdimësi kemi njoftuart se ky shtet ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet”, theksoi Sveçla.

“Pamjet që do t’i publikojmë janë dëshmi e gjallë e angazhimit të strukturave ushtarake dhe shtetërore në këtë organizim”.

Po ashtu, Sveçla njoftoi se dje dhe sot janë gjetur sasi të tjera të armatimit në zonën ku vazhdon operacioni.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili ka komentuar pamjet e nxjerra nga droni, shpjegoi se aty shihen vilat e kriminelit Millan Radojiçiç në Kopaonik, ku janë zhvilluar përgatitjet e grupit terrorist.

“Grupi terrorist ka zhvilluar përgatitje për një kohë të gjatë. Grupit terrorist i është vënë në dispozicion infrastruktura dhe logjistika e Serbisë për stërvitje ushtarake të zhvilluara para sulmit terrorist në Kosovë”, tha ai.

“Qendra e grupit terrorist ka qenë Kopaonik apo qendra që është pronë e Milan Radojeçiçit, ndërsa ushtrimet janë mbajtur në një ndër poligonet më të mëdha të ushtrisë serbe katër ditë para sulmit në fshatin Banjskë”.

Fjala e plotë e ministrit Sveçla në konferencën e mbajtur sot për medie:

Sot bëhen një javë nga vrasja e policit Afrim Bunjaku, në një sulm terrorist që u planifikua, organizua dhe ekzekutua nga shteti kriminal i Serbisë.

Çdo ditë kemi dëshmuar me fakte të patjetërsueshme lidhjen e shtetit serb, Vuçiqit, me sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim: aneksimin e veriut të Republikës së Kosovës.
Me qëllim realizimin e këtij qëllimi, aneksimin e veriut të Kosovës, institucionet e Serbise kanë organizuar kapacitetet e saj ushtarake, logjistike dhe financiare. Në vazhdimësi kemi njoftuar se ky shtet ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet, por këto ditë kemi ofruar dokumente të rëndësishme që dëshmojnë këtë gjë, ndërkaq sot do të shohim me video dhe fotografi jo vetëm sulmin terrorist në Banjskë, por edhe përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimit.

Në këtë tentim-ankesim të veriut të Kosovës, janë të angazhuar drejtpërdrejt Presidenti Aleksandar Vuçiq, ministri i mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq.

Në deklarimet e tij publike, Presidenti i Serbisë është munduar ta mohojë faktin që shteti që ai udhëheqë ka qenë i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit të 24 shtatorit, mirëpo dokumentet që kemi publikuar më parë dhe pamjet që do të publikojmë sot janë dëshmi e gjallë e angazhimit të strukturave ushtarake dhe shtetërore në këtë organizim.

Së pari, dokumenti që kemi ndarë me ju para disa ditësh ishte vërtetim që ushtria e Serbisë ja kishte dhënë grupit terrorist gjithë atë armatim që ne konfiskuam. Edhe dje edhe sot ne kemi gjetur sasi tjera të armatimit në zonën ku vazhdon operacioni.

Së dyti, Serbia tha se ky ishte një grup i Serbëve të pakënaqur lokal, por ne publikuam hartat të cilat do të mund t’i shihni edhe sot të planifikimit ushtarak të këtij tentim-aneksimi.
Së treti, Serbia tha që vrasja e policit nuk ishte e menduar, por videoja që do të shihni është sulmi me armë të kalibrave të rëndë ndaj Policisë së Kosovës edhe pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku.

Serbia dhe Aleksandar Vuçiq në vazhdimësi u përpoqën të thonë që ata nuk kanë të bëjnë asgjë me këtë sulm, por faktet që do të publikojmë dëshmojnë përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi në bazën e trajnimeve ushtarake në Pasuljanske Doline, afër Jagodinës si dhe në Kopaonik. Të gjitha këto pamje të përgatitjeve janë siguruar nga dronët e grupit terrorist që kemi konfiskuar, të cilët keni mundur t’i shihni në eksopozimin e gjithë armëve të konfiskuar në Banjskë në konferencën e kaluar për shtyp.

Shteti kriminal i Serbisë, ish-Ministri i propagandës së Millosheviqit, tash presidenti Aleksandar Vuçiq, pas dështimit në aneksimin e veriut, po dështon edhe në manipulimin se ata nuk ishin të përfshirë në këtë organizim terrorist.
Po ashtu, Pablo Escobari i Serbisë u mundua të bëhet Prigozhin i Serbisë, por falë vetmohimit dhe profesionalizmit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ai dështoi siç dështoi edhe Putini i vogël i Serbisë. As veriu i Kosovës nuk është Donbas e as Serbia nuk është Rusi.

Shteti autokratik me historinë e tij kriminale sulmoi shtetin më të ri dhe më demokratik në rajon.

Tash kur provat janë evidente është i domosdoshëm dhe jetik dënimi dhe sanksionimi i këtij sulmi terrorist të Serbisë ndaj Republikës sonë nga ana e faktorit ndërkombëtar.

Të ngjashme