Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dje ka vizituar komunat veriore të Kosovës. Përveç një shkrimi në Facebook, ai ka postuar edhe një video ku shihet duke folur me ushtarë të KFOR-it e policë të Njësisë Speciale.
Sveçla tha se situata në veri është stabile dhe e qetë.
“Nga takimet e shumta me pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe KFOR kuptuam se situata në këto komuna është e qetë dhe stabile. Nga kjo vizitë, ne pamë nga afër se ata suksesshëm po përmbushin detyrat e tyre në zbatimin e ligjit, ruajtjen e paqes dhe ofrimin e një stabiliteti të qëndrueshëm si qëllim yni i përbashkët. Angazhimi i tyre i përditshëm në ofrimin e sigurisë dhe vendosjen e ligjshmërisë janë edhe lehtësim por edhe garancë për një jetesë më të mirë të banorëve të kësaj zone”, ka shkruar Sveçla dje në Facebook.
Sveçla ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta sigurojnë lëvizjen e lirë për të gjithë “qytetarët pa dallim, në përputhje me ligjet në fuqi”.
“Institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të sigurojnë lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët pa dallim, në përputhje me ligjet në fuqi. Do të jemi zbatues të vendimeve të drejta dhe ligjore të cilat janë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ministri i brendshëm.
Kujtojmë që sot në veri janë vendosur trupat amerikanë në kuadër të KFOR-it, pasi që prej 1 shtatorit pritet të nisë zbatimi i reciprocitetit për targat dhe mjetet e identifikimit.