Shefi i asamblistëve të VV-së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, i është gëzuar heqjes dorë së festivalit “Sunny Hill” nga prona 17-hektarëshe që Komuna e Prishtinës ia dha në shfrytëzim për 99 vjet.
Në një reagim përmes Facebook, asambleisti Sveçla i njohur edhe si Giza, ka thënë se tani çdo gjë është në rregull.
“Të dashur qytetarë, duhet ta mirëpresim heqjen dorë të Sunny Hill nga insistimi për 99 vjet pronë. Tash çdo gjë është në rregull. Nuk ka arsye të braktiset Prishtina nga ky Festival, përveç nëse nuk është në pyetje ndonjë pazar tjetër, i mëhershëm”, ka shkruar ai.
Organizatorët e festivalit të njohur bënë të ditur sot se edicionin e sivjetmë do ta zhvendosin në Tiranë, për shkak të vonesave nga institucionet e Kosovës për të lëshuar lejet e nevojshme për lokacionin.