Sveçla mohon të jetë gjuajtur me kallash në Ujman: Nuk frikësohem

Prishtinë | 25 Kor 2024 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar ndaj deklaratës së ish-inspektorit të përgjithshëm të AKI-së, Burim Ramadani, se në fillim të korrikut, Sveçla është gjuajtur me armë gjatë qëndrimit të tij në Ujman.

Sveçla mohon të jetë e vërtetë kjo derisa thotë se nuk frikësohet. “Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me Ak 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër”.

“Dje në një paraqitje televizive, ish kryeinspektori i AKI-së Burim Ramadani paska deklaruar diçka që aspak nuk është e vërtetë. Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me Ak 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër. E gjitha është fabrikim i tij, arsyet nuk i di. Unë kam qenë në Ujman me barkë të shtunën së bashku me Kryeshefin e Ibër Lepencit dhe shefin e NjNSh-së së kufirit, vizitë e cila jo vetëm se ka shkuar shumë mirë por ka qenë edhe shumë produktive”.

Sveçla thotë se nuk do duhej të reagonte ndaj kësaj “gënjeshtre” por siç thotë e bëri për shkak se Ramadani ka mbajtur një pozitë “ku integriteti do të duhej të ishte një ndër cilësitë kryesore”.

“Unë as nuk do të reagoja ndaj kësaj gënjeshtre, siç nuk reagoj ndaj shumë të tjerave, po të mos njihej fakti se ky person ka mbajtur një pozitë ku integriteti do të duhej të ishte një ndër cilësitë kryesore. Sulmet edhe mund të ndodhin, por ato as nuk na frikesojnë as nuk na zbrapsin. Unë veq lutem që nëse kjo të ndodhë, mos të pësojnë njerëzit përreth meje. Edhe po, shkoj shpesh edhe te Kukësi, Tropoja, Hasi e Dragashi, se e kam një amanet prej shumë gjeneratash për atë kufirin atje!”, thotë ministri.

Të ngjashme