Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla bashkë me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha dhe drejtorin e Departamentit të Kufirit Fehmi Xhata, sot kanë vizituar brezin kufitar verior mbi fshatin Bërnjak, që shtrihet përgjatë Liqenit të Ujmanit.
Sveçla tha se Policia e Kosovës po mbronë kufinjtë e vendit dhe po vazhdon të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve.
“Policia jonë në nivelin më të lartë të detyrës e me vigjilencë po mbronë kufinjtë tanë dhe po vazhdon të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë. Kjo pavarësisht sulmeve të njëpasnjëshme të grupeve kriminale e terroriste të Serbisë, të cilat janë bërë 115 sosh vetëm në veriun e vendit tonë. Bashkë me ekipin, zyrtarët policor kufitar e të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit biseduam për nevojën e avansimit të kapaciteteve tona në pikat kufitare e në menaxhimin sa më efikas të brezit tonë kufitar”, tha Sveçla.
Derisa theksoi se “mbështetja ime nuk do të mungojë për Policinë e Kosovës për të garantuar siguri e integritet të Republikës sonë”.